Këshilli Kombëtar Shqiptar mbajti të enjten, më 23 gusht 2012, një takim me drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme të Luginës së Preshevës, njofton sherbimi informativ i KKSH-se, transmeton agjencia “Presheva Jone”

Bujanoc, 24 gusht

Mbledhja u mbajt me këtë rend dite:

Parapërgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor 2012/2013.

Njohja me gjendjen momentale të teksteve shkollore.

Pajisja e personelit arsimor për shkolla fillore me fletoren e përgatitjes ditore.

Kompletimi i shënimeve për personelin arsimor që i plotësojnë kushtet për licencim.

Të ndryshme.

Rreth pikës së parë të gjithë drejtorët e shkollës raportuan për përgatitjet që i kanë bërë për vitin e ri shkollor, dhe të gjithë u deklaruan se i kanë bërë përgatitjet e duhura me qëllim që viti i ri shkollor të jetë një vit i mbarë.

Nga disa drejtorë pat vërejtje se mjetet materiale për gëlqerosjen e objekteve i kanë marrë me vonesë, apo fare nuk i kanë marrë nga pushtetet lokale.

Lidhur me pikën e dytë të rendit të ditës, Zejni Fejzullahu, kryetar i Komisionit për Arsim Parashkollor, Fillor dhe të Mesëm, njoftoi të pranishmit për gjendjen momentale të teksteve shkollore në gjuhën shqipe në shkollat e Luginës së Preshevës.

Drejtorëve i është dorëzuar një tabelë me të cilën drejtorët duhet të njoftojnë personelin arsimor. Në dallim prej vitit të kaluar në këtë vit shkollor, nxënësve të ciklit të ulët të shkollave fillore do t’i shpërndahen falas një numër i madh i librave, duke filluar nga abetarja, librat e matematikës, libër leximi etj.

Deri më tani Komisioni për Arsim Parashkollor, Fillor dhe të Mesëm pranë Këshillit Kombëtar Shqiptar nëpërmjet autorëve vendorë, formës së përkthimit dhe teksteve të lejuara nga Shqipëria për arsimin fillor ka siguruar mbi 60 për qind të teksteve shkollore në gjuhën shqipe.

Mbetet që ky komision të punojë dhe deri në fund të vitit shkollor së paku për shkollat fillore t’i sigurojë të gjitha tekstet në gjuhën shqipe. Ndërkaq, për tekstet të shkollave të mesme do të fillohet pasi që të kryhen tekstet për shkollat fillore.

KKSH ka vendosur që të nxjerrë një fletore për përgatitjen ditore nga komisioni i përbërë prej tre anëtarësh, të cilët edhe e kanë bërë hartimin e kësaj fletore. Fletorja do t’i ndhate falas çdo arsimtari, kurse drejtorët e shkollës e mbështetën këtë iniciativë të KKSH-së.

Në pikën e katërt Këshilli Kombëtar ka ndërmarr iniciativën që të krijojë listën e arsimtarëve dhe profesorëve të cilët deri më tani nuk e kanë kryer provimin mbi licencën. Këtë listë KKSH do të dërgojë në Ministrinë e Arsimit. Shumica e shkollave e kanë dorëzuar numrin e arsimtarëve dhe profesorëve që duhet t’i nënshtrohen këtij provimi, kurse kanë mbetur edhe 2-3 shkolla të dërgojnë listën me këto emra me qëllim që sa me shpejtë të dërgohet lista e kompletuar.

Në fund, kryetari i KKSH-së, Galip Beqiri, kërkoi nga drejtorët e shkollave që çdo dokument që i dorëzohet pushteteve lokale dhe ministrisë së arsimit, t’i dorëzohet edhe KKSH-së, me qëllim të koordinimit të punëve në interes të përbashkët. Beqiri i uroi drejtorët dhe nxënësit e shkollave fillore të Luginës së Preshevës suksese dhe punë të mbarë në vitin e ri shkollor.

Në këtë mbledhje ishte prezent edhe shefi i zyres së OSBE-së në Bujanoc, Erik Montan.

SHPËRNDAJE