Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në New York që u mbajt të hënën, përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara, Robert Wood, i bëri thirrje homologut të tij rus, Vitaly Nebenzia, të mos përpiqet të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve historike.
Diskutimi u zhvillua në një sesion ku po shqyrtohej raporti gjashtëmujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, mbi punën e misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK).
Wood e lidhi përpjekjen e Rusisë për të rishikuar veprimet e NATO-s në vitin 1999 me faktin që kërkesa e Rusisë për një seancë speciale mbi sulmet e NATO-s ndaj Serbisë kishte rënë dy herë.
Gjatë sesionit, përfaqësuesi rus Nebenzia hodhi akuza ndaj NATO-s, një veprim që e shtyu Wood të merrte fjalën.
“Operacioni ‘Alied Forces’ i vitit 1999 ishte jetik dhe legjitim për të nxitur tërheqjen e forcave serbe të Millosheviqit nga Kosova dhe për të ndaluar spastrimin etnik,” u shpreh Wood. “Ky operacion ishte ndërhyrja e fundit e mundshme për të parandaluar gjenocidin dhe ishte përgjigje ndaj nevojës së menjëhershme për të mbrojtur popullsinë civile.”
Ai vazhdoi të flasë direkt ndaj përfaqësuesit rus.
“Federata Ruse duket se është e pakënaqur me faktin që Këshilli nuk i jep vendin që ajo dëshiron për të promovuar një realitet alternativ. Do të ishte më mirë të lëmë anash revisionizmin dhe të punojmë për të adresuar sfidat që kemi përpara.”