Në seancën e sotme të 296-të të Qeverisë së Kroacisë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Brendshme, Davor Bozhinoviq, ka paraqitur propozimin për vendim për fillimin e procedurës për lidhjen e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë kroate dhe asaj të Kosovës për njohjen reciproke dhe shkëmbimin e patentë shoferëve.

“Bëhet fjalë për një marrëveshje, qëllimi i së cilës është përmirësimi i bashkëpunimit dypalësh në fushën e sigurisë dhe lehtësimit të qarkullimit rrugor në territorin shtetëror të palëve. Republika e Kosovës tashmë e ka lidhur një marrëveshje të tillë me disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian. Diskutimet dhe negociatat janë duke u zhvilluar për përfundimin e një marrëveshjeje të ngjashme me disa shtete të tjera anëtare”, tha ministri Bozhinoviq, duke shtuar se miratimi i vendimit do të mundësojë fillimin e negociatave për draft Marrëveshjen.

“Drafti i Marrëveshjes së lartpërmendur përcakton procedurën e njohjes dhe zëvendësimit, si dhe mënyrën e kontrollit të vlefshmërisë dhe besueshmërisë së patentë shoferëve, dhe pas përfundimit të negociatave, Ministria e Punëve të Brendshme do t’i dorëzojë Qeverisë një raport për negociatat dhe rezultati i tyre. Zbatimi i kësaj marrëveshjeje nuk do të kërkojë mjete shtesë financiare nga Buxheti i Shtetit”, përfundoi ministri Bozhinovic.

Qeveria e Republikës së Kroacisë, me propozim të MPB-së, ka miratuar vendimin për fillimin e procedurës për lidhjen e marrëveshjes në fjalë.

SHPËRNDAJE