Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se edhe pse ka pasur mundësi për t’i larguar kryetarët aktualë për të zgjedhur kryetarë të rinj, shumica e qytetarëve në veri nuk e shfrytëzuan këtë mundësi.

Kjo sipas saj  ka ndodhur për shkak të presionit të Beogradit dhe strukturave kriminale.

Osmani ka shtuar se edhe njëherë, Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër dhe se presidenti serb, ALeksandër Vuçiq shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë.

“Për fat të keq, kjo kryesisht ndodhi për shkak të presionit të Beogradit, të ekzekutuar nga Lista Serbe dhe strukturat ilegale kriminale. Edhe njëherë, Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër. Edhe njëherë, Vuqiçi shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë”, ka shkruar ajo në Facebook.

Osmani mes tjerash ka falënderuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, institucionet e sigurisë dhe partnerët për punën dhe bashkëpunimin në organizimin e zgjedhjeve.

“Por, Kosova sërish dëshmoi maturi, organizim e respektim të plotë të ligjeve e kushtetutës, duke ju ofruar të gjitha komuniteteve, pa dallim, mundësinë që ata të zgjedhin vetë se kush dëshirojnë t’i përfaqësojë. E falënderoj Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, institucionet tona të sigurisë si dhe partnerët tanë për punën, përkushtimin dhe bashkëpunimin”, ka shkruar tutje ajo.

Ajo gjithashtu ka theksuar se me këtë proces votimi, Kosova ka plotësuar kushtet e kërkuara nga BE-ja dhe bën thirrje për heqjen e masave të padrejta kundër Kosovës.

SHPËRNDAJE