NEFAIL MALIQI në bisedë me ISMAJL KADARENË

EKSKLUZIVE  për  “Presheva Jonë” : Se si e shef Shqipërinë, Kosovën  dhe shqiptarët në Ballkan 100 vjetë pas pavarësisë sipas shkrimtarit tonë të madh Ismajl Kadare, për agjencinë informative “Presheva Jonë” është shprehur i kënaqur, duke pohuar se “ kombi ynë në përgithësi ka arritur shumë suksese, sidomos decenive të fundit, në cdo sferë si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë dhe viset tjera të ballkanit. Pro, kjo nuk don të thotë të ndalemi këtu. Me suksese Shqipëria dhe Kosova duhet të vazhdojë.  Sepse shqiptarët sot gjenden në kulmin e zhvillimeve  dhe ato janë në rrugë të mbarë.

 

 

Bisedoi:  Nefail MALIQI

Paris, 10 shkurt / AIK-Presheva Jonë

 
Copëtimi i Kosovës, këmbimi i territoreve, ridefinimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë… etj., të gjitha këto propozime dhe  hipoteza, për shkrimtarin tonë të madh, Ismail Kadare nuk janë të panjohura, por ai, më shumë se ide, i quan spekulime dhe lojë me zjarrin për destabilizimin e rajonit. Ismail Kadare pajtohet plotësisht me komunitetin ndërkombëtar dhe i bashkohet zërave të tyre për paprekshmërinë e kufijve, të cilat sipas shkrimtarit të njohur, janë “gjëra jo vetëm të ndjeshme në Ballkanin e përzierë, por edhe të rrezikshme për perspektivën e rajonit pas gjithë atij mundi, pas gjithë atij investimi, energjie nga ndërkombëtarët për promovimin e paqes dhe vënies së stabilitetit në rajon, pas gjithë atyre vuajtjeve dhe tmerrit që kishte përjetuar Ballkani këto vitet e fundit”. Duke mos dashur të hyjë në të tilla maskarallëqe, pazare, siç shprehet Kadare, me propozimet rreth ndarjes së Kosovës, ai është shprehur për agjencinë informative kombëtare “Presheva Jonë”, kategorikisht kundër ndarjes, që sipas tij, “gjithsesi duhet ruajtur integriteti territorial i shtetit, i Republikës së Kosovës dhe çdo pretendim për lëvizje të kufijve apo copëtim të Kosovës nuk do të ishte në favor të paqes dhe stabilitetit në rajon”. Madje, sipas z. Kadare, “nisur nga historia, vuajtjet e popullit të Kosovës, sot nuk është duke u bërë aq sa duhet për këtë pjesë të Europës. Çdo angazhim për Kosovën nuk mjafton kurrë, sepse ajo e meriton shumë e më shumë…”. Më pas, duke komentuar situatën e nxehtë në Kosovë dhe Luginën e Preshevës, Kadare, thekson se, “situata në Luginën e Preshevës është e papranueshme, ku popullata e atjeshme, shqiptarët etnikë në trojet e tyre, ende në këtë shekull ballafaqohen me diskriminimin e të drejtave të tyre elementare. Prandaj, perspektiva e Luginës së Preshevës, sikur viset e tjera të Ballkanit, duhet të jetë drejt Europës, gjë kjo e cila mund të bëhet me një angazhim më të madh të përfaqësuesve të Luginës në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar. Prandaj, po e përsëris se për popullin shqiptar, si në Kosovë, ashtu në Luginën e Preshevës, me një të kaluar me vështirësi të mëdha e me sakrifica, mund të themi se nuk është duke u bërë mjaft e aq sa duhet për ta, pasi ata meritojnë edhe më shumë. Nuk është kurrë shumë të bësh për ta. Është gjithmonë pak…” – thekson shkrimtari i madh në deklaratën për “Presheva Jonë”.

 

Ndërkaq, sa i përket vizitave të kreut të shtetit serb në Kosovë, Kadare thotë se, “ashtu si serbët e Kosovës që presin personalitetet e tyre të larta nga një vend fqinj, edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë të drejtë dhe dëshirë, bile së paku për të mos u harruar, që të vizitohen nga personalitetet tona nga Prishtina dhe Tirana”. Ndërkaq, në këndvështrimin se si e sheh Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët në Ballkan 100 vjet pas pavarësisë, Kadare thekson se ndihet i kënaqur, duke pohuar se, “kombi ynë në përgjithësi ka arritur shumë suksese, sidomos dekadën e fundit, në çdo sferë, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë dhe viset e tjera të Ballkanit. Por, kjo nuk do të thotë të ndalemi këtu. Me suksese Shqipëria dhe Kosova duhet të vazhdojë. Sepse shqiptarët sot gjenden në kulmin e zhvillimeve dhe ata janë në rrugë të mbarë. Përfaqësuesit e popullit tonë, dhe jo vetëm këta, por të gjithë ne bashkërisht: shkrimtarë, intelektualë, rinia, meqë gjendemi para një sërë sfidash, na presin edhe shumë detyra dhe përgjegjësi të mëdha për të ardhmen e kombit tonë, ndaj nuk duhet ndalur së punuari, duhet vazhduar misioni ynë për zhvillimin e kombit tonë, për një të ardhme edhe më të mirë dhe të sigurt e orientuar drejt Europës”.

 

SHPËRNDAJE