Në një intervistë për “Presheva Jonë”, kryetari i Komunës së Drenasit, z. Ramiz Lladrovci flet si lider i pakontestueshëm në qytetin e Drenasit, duke zbuluar se cilat janë armët e tij më të forta që përdorë zakonisht në ditën e zgjedhjeve, duke vënë theks të vecantë tek raporti i sinqertë që ka ndërtuar me qytetarët e tijë si dhe toleranca zero ndaj korrupsionit. z. Lladrovci ka folur edhe për zhvillimet në subjektin e tij si lidere e opozitës në nivelin nacional, duke thënë se pavarësisht zërave për rikthime të mundshme në PDK të personave sipas z. Lladrovci të konsumuar, ai thotë se është i prirur t’i mbështesë gjeneratat e reja të cilët janë të përgatitur për zhvillimet dinamike me të cilat duhet të ballafaqohet një politikan përditë.
I pari i komunës së Drenasit tutja ke folur edhe për zgjidhjen e mundshme finale mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me theks të vecant për qështjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke thënë se deri në një zgjidhje të qëndrueshme e afatgjate sic e meritojnë shqiptarët e Luginës, duhet të koncentrohemi tek të drejtat e tyre të barabarta sic pakica në serbi, në raport me të drejtat që serbët gëzojnë në Kosovë. z. Lladrovci tha se përfundimisht, mund të theksojmë se Kosova ka bërë shumë më pak për shqiptarët e Luginës, sesa që ata kanë bërë për Kosovën dhe për këtë iu kemi shumë borgje.

 

Prishtinë, 23 Janar

“Presheva Jonë” Kryetar, jeni lider i pakontestueshem ne Drenas. Cka ju ben kaq te vecant dhe atraktive per qytetaret qe nuk ju nderrojne?
Lladrovci: Jam kryetar i drejtpërdrejtë, nuk i bëj lajka askujt, këtë e çmojnë qytetarët e komunës tonë, projektet e vazhdueshme dhe performanca e shkëlqyer si komunë, na ka sjell shumë projekte të reja dhe perspektivë për ta ngritur mirëqenien. Është fillim i mandatit të dytë plotë dhe pres të realizojmë projekte të mira e me vlerë për qytetarët.

“Presheva Jonë” Jau kane friken (nese mund te quhet frike) te gjithe, si shoket luftes ashtu edhe ata te politikes, a ka te beje vetem me qeverisjen e mire dhe te pakorruptuar te cilen e aplikoni ne Drenas, apo ka edhe dicka qe nuk dijme?
Lladrovci: Nuk e duroj padrejtësinë, e urrej korrupsionin dhe punët e paligjshme. Po ashtu, nuk i pëlqej heronjtë e rrejshëm, andaj, dukem jofleksibil ndaj tyre. Kosova është vend i vogël dhe dihen të bëmat e secilit para, gjatë e pas luftës tonë çlirimtare dhe shtetndërtimit.

“Presheva Jonë” Jeni nder kryetaret e pakt te komunave ku nuk udheheq subjekti i kryeministrit, por qe gezoni rrespekt per punen qe beni, cila eshte formula, nese ka?
Lladrovci: Puna jonë e shkëlqyer ka bërë që të kemi respektin e duhur në nivel nacional. Formula është e thjeshtë, puna e ndershme e bazuar në ligj dhe barazia para ligjit, është çelësi ynë i suksesit.

“Presheva Jonë” A eshte unike PDK ne Drenas, a keni arritur ti ktheni ne gjirin e subjektit ata qe ne kohe zgjedhjesh ju dolen kunder?
Lladrovci: Dega e PDK-së është unike, ata që janë larguar tashmë kanë subjektin e vet politik opozitar. Qytetarët kanë dëshmuar se mundësia e vetme për të ecur përpara Drenasi është me PDK-në.

“Presheva Jonë” A e ke perkrahjen tuaj i pari i PDK, Memli Krasniqi, po flasim perkrahje edhe ne terren se me vote e dijme se e keni perkrahe?
Lladrovci: Po, lidershipit aktual, sikur edhe drejtuesve të mëhershëm ju kam ofruar përkrahje të plotë, sepse është vendim i Këshillit të Përgjithshëm dhe votës demokratike. Edhe në terren përcjell mesazhe uniteti e përbashkimi. Nuk është koha për ndarje e përçarje.

“Presheva Jonë” A do te ndryshonit dicka ne dinamizmin e lidershipit te partise, sidomos karshi qeverise?
Lladrovci: Opozitarizmi ka shumë rrugë, por aplikimi i mjeteve demokratike është rruga e vetme, opozita pa dhunë. Opozitë me projekte e alternativa që ofron zgjidhje për situata dhe variante për ligje më të mira.

“Presheva Jonë” Kemi pare takime neper oda te z. Sami Lushtaku me z. Fatmir Limaj bashke me plot burra tjere. Ne media jane pare si paralajmerime se z. Limaj po rikthehet ne PDK dhe se do ta marre partine. A ka disponim per dicka te tille?
Lladrovci: Nuk e di a ka disponim apo jo për kthim të dikujt në PDK, por unë kam folur për fenomenin e personave të ricikluar. Mendoj se çdo parti duhet t’ua jep rastin të rinjve, ndërsa ata që janë provuar, e kanë dështuar, të mos e kenë rastin e tretë. PDK është vlerë e shtetit tonë dhe nuk e shoh se dikush ka pretendime për ndërmarrje të tilla.

“Presheva Jonë” Nese jo pse? A i konsideroni te hargjuar si figura apo ka dicka personale mes jush?
Lladrovci: Asgjë personale nuk kam me askë, sepse, njihemi mes vete dhe ia njohim vlerat dhe defektet njëri tjetrit. Por, personat e ricikluar nuk janë mundësia më e mirë për të çuar përpara një subjekt politik. Çështja është çka mund t’i ofrojë një partie dikush që ka dështuar me vizionin e tij.

“Presheva Jonë” A do te vazhdoni te qendroni ne komune apo te ktheheni ne Prishtine, ne te ardhmen tuaj politike?
Lladrovci: Nuk e mendoj se duhet të kthehem në Prishtnë, është koha për të rinjtë të japin kontribut në fitoren e PDK-së. E ardhmja ime politike, shpresoj të përmbyllet me pushtetin lokal.

“Presheva Jonë” Sa jane demet e shiut ne komunen tuj dhe a prisni perkrahje nga ana e qeverise?
Lladrovci: Dëmet nga vërshimet e fundit në komunën tonë kanë qenë të vogla. Me kohë kemi ndërmarrë disa veprime si pastrimin e përroskave, lumenjve, rregullimin e shtratit të lumenjve dhe brigjeve të tyre, etj, për të përballuar me sukses këto situata të mundshme.

“Presheva Jonë” Shpesh keni komentuar qeshtjet qe kane te bejne me sportin, konkretisht me futbollin. Cka ka mbete qeshtja e stadiumit nacional, a ka ndonje zhvillim?
Lladrovci: Për fat të keq, nuk ka fare zhvillime në këtë drejtim. Është dëm i madh që Kosova nuk e ka një stadium nacional. Futbolli është sporti im i preferuar dhe normalisht, i përcjell zhvillimet. Kosova ka nevojë për stadium. Vendi ideal për Stadiumin nacional mbetet komuna e Drenasit.

“Presheva Jonë” Cili eshte bashkepunimi juaj si komune me FFK ne kete drejtim, por edhe ne plane tjera per zhvillimin e futbollit ne komunen tuaj?
Lladrovci: Unë i kam raportet e shkëlqyera me FFK, sipas studimit të fizibilitetit dhe arsyeshmërisë së projektit, Komuna jonë do të ishte mikpritësja ideale për stadiumin nacional. Megjithatë, nuk është në dorën tonë të vendosim. Ne kemi ndërtuar Stadiumin e qytetit ku luan ndeshjet klubi “Feronikeli ‘74. Besojmë se Feronikeli do të kalojë në Supërligën e Kosovës dhe të vazhdojë me suksese.

“Presheva Jonë” Si e shihni zgjidhjen finale te marreveshjes Kosove-Serbi, a quhet tradheti shkembimi i territoreve, bashkimi i Lugines dhe shkeputja e disa fshatrave ne veri?
Lladrovci:Trojet shqiptare në ish Jugosllavi nuk janë trajtuar si duhet dhe kanë mbetur të coptuara në disa republika të cilat tashmë janë shtete. Lugina e Preshevës bart peshën e padrejtësisë shekullore të shkaktuar nga fuqitë e mëdha kundër shqiptarëve nga Kongresi i Berlinit e këndej. Lugina e Preshevës është pjesë e mendësisë, traditës e historisë së Kosovës. Kontributi i Luginës për Kosovën, është më i madh se sa i Kosovës për Luginën, andaj, duhet ta kemi prioritet në çdo diskutim kur flitet për të drejtat e minoriteteve në Kosovë, të drejtat e shqiptarëve për të jetuar në vatrat e veta stërgjyshore por edhe të kenë gjasa e mundësi të barabarta sikur qytetarët tjerë evropianë, deri në gjetjen e zgjidhjes së qëndrueshme për Luginën. Lugina e Preshevës nuk është vetëm term gjeografik me tri komuna apo term historik i lidhur me UÇPMB-në, Lugina e Preshevës është vlerë dhe zemër e kombit!

SHPËRNDAJE