Federata e Futbollit e Kosovës sqaron opinionin se nuk ka aplikuar askund për asnjëlloj të kredisë sepse në aspektin financiar qëndron mirë dhe nuk ka nevojë për kredi. Ajo çfarë raportohet nga portale të caktuara dhe njerëz që nuk kanë të bëjnë me futbollin është vetëm një keqinterpretim, asgjë më shumë.

Si sqarim, FIFA nuk është institucion bankar për të lëshuar kredi me kamatë, por sipas “FIFA COVID-19 Relief Plan” të miratuar në vitin 2020, FIFA për të ndihmuar federatat dhe konfederatat anëtare të saj, lëshon në shfrytëzim (jep hua pa kamatë) mjete financiare nga 500.000 deri në 5 milionë dollarë (planin mund ta gjeni në webfaqen e FIFA-s).
Për të shfrytëzuar këtë shumë parash, çdo federatë duhet të aplikojë në FIFA për aq sa i takon, e që është jo më shumë se 35% e të ardhurave vjetore të shoqatave anëtare. Më pas mjetet kthehen për një periudhë kohore afatgjate nga të ardhurat mujore që gjeneron federata.
FFK interesohet për çdo mundësi që i jepet për të ndihmuar zhvillimin e futbollit kosovar, por në këtë rast një aplikim i tillë në FIFA nga ana e FFK-së nuk ka ndodhur.

SHPËRNDAJE