Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli përshëndeti vizitën e Presidentit të Maqedonisë, George Ivanov në Kuvendin e Shqipërisë dhe nënvizoi se adresimi i Presidentit maqedonas përpara deputetëve shqiptarë është dëshmia më e mirë e vullnetit që të dy vendet ndajnë për të ecur përpara në objektivat e përbashkët drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Në fjalën e saj, Kryetarja Jozefina Topalli ndër të tjera tha: “Më lejoni të falënderoj, në emrin tuaj, Presidentin e Republikës së Maqedonisë, George Ivanov, për fjalën e tij. Shqipëria i kushton rëndësi të veçantë marrëdhënieve të fqinjësisë dhe bashkëpunimit me Maqedoninë. Marrëveshjet e shumta që ne kemi midis dy qeverive tona janë shprehje e këtij vullneti pozitiv. Fjala e Presidentit Ivanov sot në Kuvendin e Shqipërisë është dëshmi e këtij vullneti për të ecur përpara në objektivat e përbashkët që ne ndajmë drejt Brukselit. Ne si shqiptarë gëzohemi për çdo arritje të Republikës së Maqedonisë. Mbështesim anëtarësimin e këtij vendi në NATO. Edhe njëherë në emrin tuaj falënderoj Presidentin Ivanov për fjalën e tij në Parlamentin Shqiptar”.

SHPËRNDAJE