Sot marrin fund justifikimet, se nuk i kemi duart e lira…Radhën e ka Mitrovica

Dr. Shefqet KRASNIQI

ME RASTIN E PËRMBYLLJES SË MBIKËQYRJES SË PAVARËSISË SË KOSOVËS

Kosova sot shënon një nga ditët më të rëndësishme të saj pas shpalljes së pavarësisë. I gjithë shteti është mobilizuar për të pranuar kompetencat të asaj që quhet pavarësi e plotë, edhe pse jam në mëdyshje nëse mund ta quajmë ashtu, thuhet ne komentine kryemimamit të Prishtinës dr.Shefqet Krasniqi.

 

EULEX-i, një organ evropian i instaluar në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë, për ta mbikëqyrur atë, po shkon, për të mos u kthyer më kurrë, inshaAllah! Është opinion dhe bindje imja personale se shumë pak ua kemi parë hairin, shumë pak kanë punuar për shtetin tonë. Kemi pritur prej tyre shumë, por patëm gabuar. Na dolën gati se të njëjtë me paraardhësit e tyre UNMIK-un. Në të kaluarën të flasësh për ndërkombëtarët ka qenë “mëkat”, respektivisht në fillim të dekadës së parë të këtij mileniumi të ri, unë pata potencuar se nuk bën të jepemi shumë pas faktorit ndërkombëtar, sepse ata dinë edhe të na zhgënjejnë. Ndonëse më patën gjykuar për mendimin tim, se kinse po gaboj që po flas kësisoj, megjithatë, nuk shkoi shumë kohë dhe edhe kritikët e mi mu bashkëngjitën duke dhënë madje kritika shumë më të ashpra se sa unë për faktorin ndërkombëtar.

UNMIK-u ka qenë një organizatë ndërkombëtare prej së cilës kosovarët janë zhgënjyer shumë, kështu që, me ardhjen e EULEX-it, shpresat e tyre për të bërë diç të mirë për Kosovën patën qenë të mëdha. Ishte kjo për shkak të pozitës që kishte UNMIK-u, si organizatë e OKB-së, e cila ende nuk e ka pranuar Kosovën, dhe EULEX-it, si një organi evropian, që ka treguar një zemërgjerësi më të madhe për Kosovën. Megjithëkëtë, tash kur po shkojnë, po bindemi se kishin qenë binjakë. EULEX-i, përpos që ka implementuar planin famëkeq të Ahtisarit, i cili diskriminon shumicën absolute të  shqiptarëve myslimanë përballë pakicës serbe dhe atë në çdo drejtim, nuk ka bërë diç tjetër. Kishës ortodokse, si shpagim për bekimin e masakrave, i janë dhënë me qindra hektarë tokë, derisa Veriun e Mitrovicës, me gjithë mundësitë që patën, e lanë edhe më keq se që e gjetën. Krimi, jo që nuk u çrrënjos, përkundrazi, në kohën e tyre vetëm sa lulëzoi. Asnjë njeri nuk mund të më bindë se EULEX-i nuk ka patur fuqi dhe aftësi për t’i hequr barrikadat në veri. Lirshëm mund të konstatojmë se gjatë periudhës së EULEX-it serbët e veriut vetëm sa janë forcuar dhe trimëruar. Ata janë bindur se ndaj tyre nuk do të përdoret forca dhe se qeverisë së Kosovës i ndalohet ta përdor forcën për ta shtrirë sovranitetin në tërë territorin e saj. EULEX-i më shumë ka gjetur kohë të merret kinse me “krimet” e bëra nga ish-pjesëtarët e UÇK-së, sesa t’i arreston kriminelët serbë në veri.

EULEX-i do të kujtohet për të keq nga komuniteti mysliman i Kosovës, komunitet me 96% të popullsisë së kësaj Republike, për përkrahjen zero për realizimin e të drejtave të tyre. Ndonëse në vendet evropiane e drejta fetare gëzon një tretman tjetër, atje myslimanët edhe pse janë pakicë kanë të drejta që në rastin tonë, edhe pse jemi shumicë, nuk i kemi, andaj heshtja e tyre përballë shkeljes flagrante të të drejtave tona, me theks të veçantë shamisë dhe vijimit të mësimit fillor e të mesëm, është e pafalshme. Madje, deklarata të politikanëve tanë në kushte anonimiteti, kanë shpalosur të vërtetat se EULEX-i dhe faktori ndërkombëtar janë ata që nuk duan të drejtën islame.

Si do që të jetë, ata po shkojnë, e këta tanët po marrin edhe më shumë pushtet, proces ky politik shumë i rëndësishëm për vendin dhe kombin tonë. Këto procese kanë peshë të rëndë historike. Ato nuk përsëriten më. Fjala vjen, shpallja e pavarësisë në 2008 ishte një proces i cili nuk do të përsëritët më. Ashtu edhe ky është një proces shumë i rëndësishëm i cili do të mbahet mend në historinë e Kosovës, proces i cili do ta tregoj pjekurinë e institucioneve tona për t’i çuar proceset para, për të udhëhequr me shtetin, për t’i shërbyer qytetarëve. Ka marrë fund koha e justifikimeve se nuk i kemi duart e lira. Tash më nuk kanë arsye të thonë se “të huajt” nuk po na lënë me ua dhanë të drejtat myslimanëve. Andaj nga kjo javë qytetarëve të Kosovës do t’iu rikthehet sërish shpresa se e ardhmja do të jetë më e mirë për ta. Do ju shtohet shpresa edhe muslimanëve se nuk do të shkelen të drejtat e tyre dhe se edhe ata,  sikurse ortodoksët, do t’i gëzojnë të drejtat e tyre fetare.

Sfidë e madhe mbetet edhe çështja e Mitrovicës, të cilën, pavarësisht kostos, nuk duhet ta japim.

Allahu i ndihmoftë popullit dhe qeverisë sonë në punë të mbara!

Për fund fare, nuk mund të ndahem nga ju të nderuar lexues pa përmendur faktin se nga pjesëtarët e EULEX-it ka patur burra të sinqertë, të cilët, të prirë nga humanizmi, janë munduar të shërbejnë me përkushtim. Në emrin tuaj dhe timin, i falënderoj shumë! Kosova nuk do të harrojë veprat tua të mira kurrë!


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni