BOTA SOT 17 vjet në front të informimit dhe… ….Shpërthimi historik

Editorial

17 vjet më parë do të fillonte hapja e mendjes shqiptare, lufta e parë fyt për fyt e përditshme e nacionalizmit shqiptar me propagandën serbe dhe boshtin sllavo-ortodoks përgjithësisht. Sfida shkonte edhe më përtej qëllimit nacional të çështjes së Kosovës. Intelektualë, gazetarë dhe vetë botuesi Xhevdet Mazrekaj do të përcaktoheshin për konstituimin e idesë, të krijimit të një mendësie shqiptare të përbashkët, paraprijëse të një bashkimi të mundshëm gjithëshqiptarë. “Bota sot” do të kthehej në çelësin e ideve dhe koncepteve kombëtare, si vazhdimësi dhe hulli e atyre koncepteve rilindëse.
Ato koncepte dhe ide që ishin të përditshme dhe të paluajtshme sot e 17 vjet më parë në faqet e gazetës sonë dhe tuaj lexues të nderuar, tashmë disa vjet po rimerren nga parti politike në Kosovë si Vetëvendosje apo së fundi në Shqipëri si Aleanca KuqeZi.
Atëherë, nuk kishte më vend për kompromise politike, ashtu siç i duhej apo detyrohej të bënte gazeta publike, “Rilindja”, e që në Kosovë dilte me emrin “Bujku”. Kombëtares “Bota sot” i ra barra e madhe e ballafaqimit me përplasje të mëdha. Së pari me tronditjen që shkakton një ndodhi e re. E para media e përditshme e pavarur e Kosovës së post-komunizmit. Pavarësisht që rreth vetes kishte grumbulluar ajkën e njerëzve të shqiptarizmës, të publicistikës dhe gazetarisë e madje edhe të letërsisë, dyshimet që zgjonte frika e të panjohurës tek politika ishin sfidë më vete. Por, ndërsa elemente të politikës po hamendësoheshin se çfarë do të sillte një media e pavarur, shqiptarët në të katër anët e botës do t’i ndihmojnë shpërthimit historik që po e bënte “Bota sot”, duke reshtur varg e varg, ditë pasdite dhe muaj pas muaji, e vit pas viti, duke shënuar rekorde lexueshmërie të paarritshme, ende nga asnjë media tjetër.
“Bota sot” do të kthehej në gangullëzimin dhe urëzimin e të gjithë të djathtës shqiptare, duke u shndërruar edhe në mburojë të institucioneve të Republikës së Pavarur, të panjohur ndërkombëtarisht.
“Bota sot” do të jetë dora e djathtë e Rugovës, që ta lidh përjetësisht besën shqiptare, në rrugëtimin për liri dhe Pavarësi. Madje shumë herë gjatë këtij rrugëtimi ajo do të jetë fryma e vetme e vërtetë e pathyeshme e rugovizmit. Kështjella e paepur dhe e pathyeshme, dhe jo vetëm deri në ditën kur Presidenti mbylli sytë përgjithmonë, por edhe më tej do të mbetet e vetmja referencë, arbitër e rugovizmit për opinionin, duke tejkaluar madje edhe rrëshqitjet, lajthitjet dhe dështimet e vet LDK-së, në rrugën pasrugoviane.
Gazeta jonë dhe e juaja lexues të nderuar, që i përmbylli 17 vjet histori, ka krijuar referencën historike për të bëmat nacionale në përgjithësi dhe të djathtës në veçanti. Duke rrëzuar tezat e të majtës, që prej kohësh i trumbeton si të sajat të gjitha meritat nacionale, në tri kohë: përpara luftës, gjatë luftës dhe pas luftës. Pavarësisht fuqisë tepër të madhe të së majtës, që u reflektua gjatë luftës dhe reflektohet edhe sot, me para, pushtet dhe media, ajo nuk ia arriti që të përvetësonte për merita të saj, heroizmin e luftës, pas pavarësisht përpjekjeve për të lënë në harresë dhe margjina organizimet institucionale para luftës dhe gjatë luftës.
Pavarësisht gjithë atij agjitacioni marramendës, ku “Bota sot” u ndodh e vetme, përballë dhjetëra gazetave e revistave, televizioneve e radiove të majta, ajo ia arriti të mbijetojë dhe së bashku me këtë, t’ia ruaj dinjitetin kombit, duke e përçuar të vërtetën drejt pafundësisë së kohës, arbitres së pavdekshme të njerëzores.
Për këto 17 vjet, lexues të nderuar kemi krijuar lidhje të pashkëputshme me njëri-tjetrin, pavarësisht sfidave dhe vështirësive të dhembshme që kemi kaluar, pavarësisht sakrificave dhe gjakut të rrjedhur nga gazetarët tanë të sulmuar fizikisht, të linçuar jetësisht, dhe deri të vrarë pabesisht, si gazetari redaktor Bardhyl Ajeti, gazetari Bekim Kastrati, bashkëpunëtori Xhemajl Mustafa, ish-bashkëpunëtori i ngushtë i Presidentit Rugova. Kjo storie tregon fatumin e përbashkët të gazetës “Bota sot” dhe liderit historik, dr.Ibrahim Rugova.
Për shtatëmbëdhjetë vjet gazeta do të vazhdonte të gjente pikat më të dobëta të sistemit duke goditur me kohë, qasjen jo të drejtë të UNMIK-ut në raport me fatin e ardhshëm të Kosovës, duke identifikuar pamundësinë e funksionalitetit të EULEX-it, për shkak të duarlidhjes së tij me Rezolutën 1244, dhe duke evidentuar të metat e Pakos Ahtsari, për mosfunksionalitetin e ardhshëm të shtetit të Kosovës, dhe mbi të gjitha për paaftësinë e sistemit të zgjidhjes së situatës në veri, mos vënies së kësaj pjese nën kontroll.
Ishte ideja e përqafuar nga editori Xhevdet Mazrekaj, për një gazetë të tillë të guximshme të orientuar kombëtarisht, që shumë herë diti të shpërthente si një vullkan shpirtëror për të paralajmëruar të ardhmen e përbashkët shqiptare, ditë që duket se është më afër se kurrë.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni