PD: Rama, po vjell vrer kundër rrugëve që ndërton qeveria

 

“Sot kreu i bllokmenëve të rinj, shoku Edvin Kristaq Rama, nxori në tregun mediatik vrerin e radhës të akuzave, shpifjeve dhe trillimeve, kundër arritjeve në ndërtimin e infrastrukturës moderne në Shqipëri”, kështu e nisi deklaratën e saj për shtyp, zëdhënësja e Partisë Demokratike, duke pohuar se Rama, pikërisht njeriu që shpalli Korridorin e Kombit që bashkon Shqipërinë me Kosovën si “rrugën e Asgjëkundit” dhe që kundërshtoi me egërsi të paparë tunelin dhe autostradën që bashkon Tiranën dhe Elbasanin, sot sulmon ndërtimin e rrugëve rurale dhe inaugurimin dje të 28 km rrugë që lidhin komunat Strumë, Zharsë, Kuman me Fierin dhe Beratin.

Sipas saj, këto rrugë u shërbejnë rreth 15 mijë banorëve të njërës prej zonave bujqësore më të fuqishme të vendit e që në të vërtetë ka një gjatësi mbi 2 herë më të madhe se të gjitha rrugët e asfaltuara këto 4 vite në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, të marra së bashku nga shoku Rama.

“Partia Demokratike i thotë kreut të bllokmenëve të rinj se shpifjet, trillimet, akuzat e tua do të marrin përgjigjen e merituar më 8 maj, kurse ne do të inagurojmë dhe do të ndërtojmë së paku 5 mijë kilometra rrugë, tunele, ura, autostrada në Tiranë e në mbarë vendin”, përfundon deklarata e PD-së lidhur me një fakt të tillë.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni