Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha vijoi paraditen e sotme, takimet me qytetarët, në bashkinë e Kuçovës, në mbështetje të kandidatit për kryetar bashkie të këtij qyteti, Selfo Kapllani.

Kryeministri garantoi qytetarët se në 4 vitet e ardhshme, qeveria do të bëjë gjithçka që mandati i kandidatit të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, Selfo Kapllani të jetë një sukses i vërtetë. “Jam sot këtu për tu zotuar se 4 vitet që vijnë qeveria do të financojë çdo projekt të zotit Selfo Kapllani për një Kuçovë moderne, për një Kuçove evropiane, për një Kuçovë të zhvilluar.” u shpreh kryeministri.

Me premtimin për një infrastrukturë moderne, Kryeministri Berisha tha se tashmë një seri projektesh të rëndësishme, të cilat do të mbipërgjysmojnë distancën Kuçovë-Tiranë kanë nisur të zbatohen. Kryeministri renditi segmentin Belsh-Kuçovë, të boshtit të Jugut, si dhe fillimin së shpejti të autostradës Tiranë – Elbasan, me gjatësi 32 kilometra dhe 4 korsi.

Kryeministri Berisha tha se 4 vitet që shkuan janë investuar mbi 700 milion lekë për ujësjellësin e Kuçovës dhe të Beratit, duke garantuar se 4 vitet që vijnë qeveria do të bëjë gjithçka për të garantuar ujë 24 orë, për Kuçovën dhe mbarë fshatrat e komunave të saj.

“Së pari, ju jap përshëndetjet e mija më të përzemërta , falënderimin tim më të sinqertë, për këtë tubim madhështor që keni organizuar sot, në mbështetje të djalit tuaj të shquar, kryetarit të ardhshëm të bashkisë së Kuçovës, zotin Selfo Kapllani.

Unë jam këtu për tu garantuar ju, se në 4 vitet që vijnë, qeveria do të bëjë gjithçka që mandati i Selfo Kapllanit të jetë një sukses i vërtetë, për ju , për fëmijët tuaj dhe te gjithë Kuçovën.

Jam sot këtu, për tu zotuar se 4 vitet që vijnë qeveria do të financojë çdo projekt të zotit Selfo Kapllani për një Kuçovë moderne, për një Kuçove evropiane, për një Kuçovë të zhvilluar.

Gjatë 4 viteve të shkuara, në qarkun e Beratit janë asfaltuar 430 km rrugë, ju garantoj se 4 vitet që vijnë ,në Kuçove, në Peroni në Kozarë, në çdo komunë,në çdo fshat, në çdo lagje të këtij qytetit, të këtyre komunave, por dhe të qarkut të Beratit do të asfaltohet çdo kilometër rrugë.

Ne jemi të vendosur të ngremë në Shqipëri, të ndërtojmë në Berat, Kuçovë e kudo një infrastrukturë të vërtetë evropiane. Sot, janë në fillim një seri projektesh, të cilat do të mbipërgjysmojnë, distancën Kuçovë- Tiranë. Ka filluar dhe vazhdon boshti i Jugut Belsh-Kuçovë, fillon së shpejti autostrada Tiranë Elbasan, 32 kilometra, me 4 korsi, 120 km në orë shpejtësia.

Komunat tuaja do të kenë një infrastrukturë moderne. Gjatë 4 viteve, në qarkun e Beratit janë ndërtuar dhe rindërtuar 45 shkolla, nga të cilat 11 shkolla dhe kopshte janë në Kuçove dhe në komunat e saj.

Jam këtu për tu zotuar se 4 vitet që vijnë do të ndërtojmë çdo shkollë dhe kopsht në parametrat evropiane. 4 vitet që shkuan ne kemi investuar dhe investojmë mbi 700 milion lekë për ujësjellësin e Kuçovës dhe të Beratit. Ju garantoj se 4 vitet që vijnë do të bëjmë gjithçka për të garantuar ujë 24 orë, për ju dhe mbarë fshatrat e komunave të Kuçovës. Investime të mëdha janë bërë në rrjetin e energjisë elektrike”, tha kryeministri Berisha.

“Për qeverinë shqiptare zhvillimi i qëndrueshëm rural përbën një përparësi madhore. Në rrethin e Beratit ne, në 4 vite kemi financuar mbjelljen e 2000 ha ullishte, dru frutorë dhe sera. JU garantoj se kjo sipërfaqe do të arrijë në 10 mijë hektarë në 4 vitet që vijnë. Vetëm këtë vit janë miratuar për subvencion projekte të 1800 fermerëve, në një sipërfaqe më të madhe se 700 hektarë.

Kjo është rruga jonë, rrugë në të cilën ne kemi qytetarin, interesin, mundin, djersën , përkushtimin, vizionin e tij. Rrugë në të cilën ne kemi qytetarin, fëmijët, familjen komunitetin e tij të parin e të parëve.

Vitet e udhëtimit tonë në liri nuk kanë qenë vite pa mundime, pa lodhje, pa sakrifica dhe pa dhimbje, por vitet e udhëtimit tonë në liri kanë qene vite , në të cilat ne, burrat dhe gratë e Kuçovës dhe të Shqipërisë, djemtë dhe vajzat e tyre u bënë njerëz të sukseseve të mëdha, njerëz të realizimit të ëndrrave tona shekullore. Sot, mblidhemi në këtë shesh si qytetarë të një vendi, anëtar të NATO-s, me liri, të sigurt njëherë e përgjithmonë. Sot, mblidhemi në këtë shesh, nga qytetarët më të izoluar të planetit që ishim 20 vjet më parë , në qytetarë që lëvizin të lirë në mbarë Evropën.

Sot, mblidhemi në këtë shesh nga një vend tërësisht i panjohur dhe i harruar në turizmin e botës në destinacionin turistik kryesor të planetit në vitin 2011. Sot mblidhemi në këtë shesh pasi ne me një përpjekje të madhe bëmë që ekonomia shqiptare të qëndrojë në krye të rritjes ekonomike të Evropës për tre vite me radhë.

Sot mblidhemi në këtë shesh pasi ne ia dolëm të dyfishojmë të gjitha pensionet e ulëta, të dyfishojmë rrogat mesatare si asnjë vend tjetër në Evropë. Ne mblidhemi në këtë shesh, në një kohë kur në Shqipëri, është e vërtetë që ka papunësi, por është e vërtetë se, siç pohon BE, Komisioni Evropian dhe të gjitha institucionet botërore, Shqipëria është nga të paktat vende në Evropë , në të cilën papunësia, në kulmin e krizës, jo vetëm që nuk u rrit por u ul ndjeshëm.

Sot mblidhemi në këtë shesh në një kohë kur sërish në Shqipëria ka varfëri, por sipas statistikave më serioze të botës, varfëria u ul nga 18 % që ishte në vitin 2005, në 12 % në vitin 2009. Në Kuçovë dhe në qytete të tjera të vendit, në komuna të vendit sërish ka familje që marrin ushqim me lista, por sërish dua të theksoj se nga 60 mijë familje që ishin në vitin 2005, sot janë gjithsej 15 mijë familje dhe zotohem para jush se fundi i këtij viti nuk do të ketë më familje shqiptare në mjerim ekstrem.

Kjo është alternative jonë, alternativa e luftës me zero tolerancë, ndaj varfërisë, ndaj krimit, ndaj korrupsionit. Kjo është alternative jonë, alternativa e integrimit tonë në NATO, e lëvizjes pa viza, integrimit të vendit në BE.

Në këtë alternativë ka vend për çdo qytetar. Kjo alternativë është shtëpia e qytetarëve, banorëve të qyteteve dhe të komunave të Shqipërisë,pavarësisht nga bindjet e tyre politike. Unë i garantoj se jo vetëm do të kenë një vend në këtë shtëpi, por do të dëgjohet zëri i tyre, do të përfillet vizioni i tyre, do të respektohet dinjiteti i tyre , do të vlerësohet djersa e tyre.

Krahas kësaj alternative është dhe ajo e “rrugës së vetme”, e kalorësit të rrugës së vetme apo rrugës së vetmisë, i cili këto ditë po ecën turravrap drejt shtëpisë së harresës politike.

Edi Rama, i cili qarkon nga sheshi në shesh me fyerje, me sharje, me trillime dhe mashtrime, mendon se shqiptarët i besojnë rrugës së vetme. Por shqiptarët e të gjitha bindjeve, 20 vjet më parë, janë ndarë njëherë e përgjithmonë nga rruga e vetme. Çdo shqiptar ka rrugën e tij, rrugën e mundit dhe të djersës së tij, rrugën e dinjitetit. Liria është pasioni i shqiptareve, është e drejta e tyre natyrale, paprekshme.

Rama ka zgjedhur në fushatë moton “fajin e ka Saliu” Zotit Rama dua ti them këtu, se fajet që me njeh ti mua uroj të bëhen sa Tomorri, se në atë rrugën tënde të vetmisë ti ke votuar kundër çdo projekt
i për qytetaret e Kuçovës dhe të Shqipërisë.

Ti ke votuar kundër ujësjellësve, kundër parqeve industriale, kundër uljes së taksave, kundër rritjes së rrogave, ke votuar kundër heqjes së vizave, ke bërë gjithçka për të futur vizat në kuti. Ndaj dhe le të bashkohemi ne në këtë alternativë dhe ta lemë atë të eci në rrugën e tij të vetmisë.

Ja se si e zgjidh problemin e tij me kundërshtarin zoti Edi Rama. Ka tre javë që ka urdhëruar mediat e tij të fikë ekranet për rivalin e tij në bashkinë e Tiranës , i cili po e nis me shpejtësi të madhe zotin Rama, në shtëpinë e harresës politike, në shtëpinë e vetmisë së thellë politike.

I them këtu se nuk është kjo rruga që duan qytetarët. Ata janë mendjet e pluralizmit shqiptar. Qytetarët kanë dëshirë të dëgjojnë Sali Berishën, por të dëgjojnë dhe ty, të dëgjojnë të gjithë spektrin politik, të dëgjojnë qytetarët e bashkisë së Tiranës, të dëgjojnë ty, por të dëgjojnë dhe kundërshtarët e tu. Ti nuk duhet të kesh frikë dhe të vendosësh censurë, se me censurën që vendos vetëm e vetëm nxjerr pamjen e vjetër, mendësinë, mentalitetin e vjetër , e asaj kohe që s’do të kthehet kurrë më.

Edhe njëherë, duke përfunduar ju bëj thirrje që në datën 8 maj të votoni kandidatët e Aleancës për qytetarin, votoni Selfo Kapllanin, votoni kandidatët e kësaj aleance, e cila është aleanca më e madhe që ka njohur Shqipëria në historinë e saj, aleanca më e fuqishme, aleanca që hoqi vizat për shqiptarët, aleanca që po zhvillon me shpejtësi këtë vend, aleanca që po ju udhëheq ju drejt integrimit në BE. Aleanca, e cila po rrit me shpejtësi ekonominë shqiptare. Aleanca që së bashku me ju do të ndërtojë, Kuçovën, do të ndërtojë Shqipërinë e zhvilluar në vitin 2017.

Për ne, ju jeni të parët, fëmijët tuaj janë të parët, familjet tuaja janë të parët, Kuçova është e para, Shqipëria është e para”, tha kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.

SHPËRNDAJE