Situata e vështirë në veri dhe verilindje të Shqipërisë si rrjedhojë e reshjeve të dendura të dëborës që shoqëruan vendin për afro 20 ditë kanë bërë që kryediplomati francez të ofrojë ndihmën e tij.

Ministri i Jashtëm i Francës, Alain Juppe në emër të shtetit të Francës ka ofruar 10 mijë euro ndihmë për Shqipërinë.

Burime nga ambasada franceze bëjnë me dije se kjo shumë do përdoret nga ambasada për ndihma urgjente në zonat e bllokuara si dhe do të shpërndahen ndihma për to.

Mësohet se një pjesë e ndihmave do të shkojnë për komunën Stëblevë në Elbasan.

Situata në zonat e bllokuara nga bora në veri të vendit është drejt përmirësimit. Pushimi i reshjeve gjatë dy ditëve të fundit dhe ndërhyrjet e Shtabeve të Emergjencës në rrugët kryesore ka bërë që të pastrohet pjesa më e madhe e rrugëve. Megjithatë, bora ka bllokuar disa komuna, si Shishtavec, Kalis, Arrën, Grykë Cajë, Bushtricë dhe Surroj në rrethin e Kukësit dhe Lekbibaj, Llugaj dhe Bytyç të rrethit të Tropojës.

Mësohet se rruga e bllokuar, për momentin është Kukës – Qafë Shllak. Veç ndalimit të reshjeve pritet që të nis dhe shkrirja e dëborës, si pasojë e rritjes së temperaturave dhe pse gjatë dy ditëve të fundit rritja e temperaturave ka qenë minimale.

SHPËRNDAJE