Elvana dhe Flori publikisht ''të lidhur''

Aventura dashurie mes fansash në Kanada e Amerikë.

Ky është momenti i tyre dhe për këtë nuk ka mjaftuar vetëm bashkëpunimi e realizimi i hiteve muzikore, për të cilat janë komentuar gjatë gjithë kësaj periudhe. Por këto vitet e fundit, që kur Flori mori në menaxhim këngëtaren Elvana Gjata, komentet se pas këtij bashkëpunimi të fortë patjetër fshihej diçka më shumë, natyrisht që edhe u ka shërbyer dy këngëtarëve për karrierën e tyre. Dihet që në publik shkaktojnë impakt lidhje të tilla, sidomos kur një dyshe artistësh si e tyrja fansat e shohin si interesante. Dhe ja ku janë Flori Mumajesi dhe Elvana Gjata në një “love story”, që nuk kanë pse ta fshehin më. Të dy kanë statuset “single”, pasi u kanë dhënë fund lidhjeve të mëparshme dhe tashmë kalojnë 24 orë në 24 bashkë. Flori, krijues i shumë këngëve “hit-e” në këto vitet e fundit, pasi ka investuar mirë për emrin e tij, tashmë po i dedikohet së pari vetëm Elvanës. Ata kanë një axhendë të mirëmenduar koncertesh, dhe viti 2011 ishte viti kur ata shkelën Kanadanë e Nju Jorkun, në koncertet e tyre shumë fitimprurëse. Në momentet e pushimit dhe relaksit, dy këngëtarët duke menduar se janë shumë larg Shqipërisë ku mund të komentohen për afrimitetin, sjelljet e tyre me njëri-tjetrin, atje janë ndier të lirë duke mos u kursyer në shkëmbimin e gjesteve të dashurisë. Pas një pauze të gjatë në ekranet shqiptare, Elvana Gjata u shfaq në Toronto (Kanada) në mesin e nëntorit me pamje krejtësisht të transformuar, aq sa u hodh ideja se ajo kishte bërë disa ndërhyrje plastike në pamjen e saj, ndërsa për modelin e flokëve dukej origjinal si Beyonce. Këngëtarja ishte e ftuar së bashku me Flori Mumajesin dhe Andy Gramm për të mbajtur një koncert në club-in “Maro Super Club”, koncert ky i organizuar nga “MODO Productions”. Gjatë mbajtjes së këtij koncerti, ku kanë qenë afër 1 mijë veta të pranishëm, Elvana dhe Flori në momente pushimi apo jashtë koncertit nuk i kanë kursyer sjelljet intime me njëri-tjetrin, duke lënë përshtypjen e një çifti të dashuruarish, më shumë sesa të një këngëtareje me kolegun apo menaxherin e saj. Gjatë atij koncerti u realizuan shumë foto, që fiksuan dhe ekzaltimin e publikut ndërsa ndiqnin koncertin e tyre të shumëpritur, ku Elvana prezantohej me look krejt të ndryshuar. Gjatë koncertit, këngëtarja performoi këngë vetëm, por edhe me Florin, për disa orë. Elvana dhe Flori ishin të parët këngëtarë shqiptarë të ftuar nga kjo kompani, e cila ka shtrirë tashmë aktivitetin edhe në Shqipëri. Por kjo ishte aventura e tyre e parë shumë larg Shqipërisë, ku çifti u ndie i lirë të shfaqej ashtu siç janë në të vërtetë, një çift të dashuruarish. Ndërkohë që nuk dihet përse ata të dy preferojnë ta mbajnë gjithmonë e më shumë të fshehtë në sytë e medias shqiptare këtë lidhje të tyre. Udhëtimi i dytë i gjatë, që mund të cilësohet edhe punë edhe qejf, për ta ishte ai drejt Nju Jorkut, që në faqet e gazetave u komentua si një projekt që po detyronte çiftin të linte pushimet e fundvitit për një koncert në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ndërkohë që nga persona që kanë qenë të pranishëm, ky udhëtim i tyre do të komentohej si një aventurë e vërtetë dashurie. Elvana dhe Flori, deri tani të komentuar si “dyshja më e famshme në trojet shqiptare”, nuk kanë pushuar për as një moment gjatë vitit 2011 duke sjellë hit pas hiti për publikun shqiptar, dhe duke u ndier të favorizuarit e koncerteve jashtë vendit. Dhe prapë u ka mbërritur kjo ftesë e bukur për Krishtlindje. Elvana sapo kishte përfunduar xhirimet e videos për këngën “Gjaku im”, ndërkohë që në të njëjtën kohë edhe Flori hodhi në treg videon e tij të re për këngën “S’të mbaj inat”, një bashkëpunim ky me Labinot Tahirin. Këngëtarët performuan në Nju Jork, së bashku me Andy Gramm. Koncerti u organizua nga “Dukagjini Production” dhe u mbajt në “Highline Ballroom” (431 West 16 st Manhattan), një koncert fill pas atij të mbajtur në Kanada. Çifti atje ka shëtitur vendet më të bukura të Nju Jorkut dhe ka realizuar foto të ndryshme me njëri-tjetrin, që dëshmojnë qartë afeksionin e tyre. Nuk dihet se si do jetë viti 2012 për Florin dhe Elvanën. Nëse do të jenë të preferuarit e menaxherëve sërish, dhe nëse do të hedhin një hap më shumë në marrëdhënien që kanë me njëri-tjetrin. Gjithsesi, për ta viti 2011 ishte një vit me shumë shkëlqim dhe mbresa. Nga një anketë e realizuar në Kosovë në dhjetor, me mendimin e vetë këngëtarëve, ata ishin dy emrat që u përmendën më shumë herë për hitet e tyre nga kolegët. Ndërkohë që si këngëtarët më ‘in” për momentin në trojet shqiptare e më gjerë, Flori dhe Elvana nuk mund të mungonin në këngën “Jemi një”, video e realizuar nga “Klan Kosova”, me pjesëmarrjen e Yllkës, Teutës, Lyrical Son, Julkës, Vedatit dhe Vesa Lumës. E në fund të fundit, ajo që ka më shumë vlerë është paraja, dhe ndoshta për hir të kësaj lidhjeje simpatike, çmimi i tyre për koncerte jashtë tashmë ka kapur shifrën 5 mijë euro.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni