Mbas “Fjalorit të parë Drejtshkrimor të Gjuhës Shqipe”, botuar në vitin 1976 me rreth 38 mijë fjalë, një tjetër fjalor i ri me rreth 75 mijë fjalë është botuar kohët e fundit nga gjuhëtarët Ali Dhrimo e Rami Memushaj dhe është promovuar gjithashtu në Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”. Sipas gjuhëtarit Rami Memushaj “40 vjet mbas Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972) dhe 34 vjet pas hartimit të të parit fjalor drejtshkrimor të shqipes (1976), nevoja e hartimit të një fjalori të ri drejtshkrimor erdhi duke u bërë gjithnjë e më e domosdoshme”. Fjalori rreh të pasqyrojë në mënyrë sa më të plotë atë pasurim dhe shpërthim të gjuhës shqipe në të gjitha stilet, gjinitë, sidomos në këto 20 vitet e fundit, që është arritur falë punës së lëvruesve të shqipes dhe të përkthyesve. Sipas Memushaj “Ky fjalor është një libër që duhet të ndodhet në tryezën e atij që shkruan.

Botimi pasqyron se çfarë është arritur në njësimin e normës së gjuhës shqipe që nga viti 1972 e deri në vitet tona, në fushën e fonetikës, gramatikës dhe drejtshkrimit”. Dy autorët e fjalorit kanë punuar rreth tre vjet e gjysmë për hartimin e tij, pasi sipas Memushaj, pasqyrimi i leksikut të shqipes në fjalorët normalë është e pamjaftueshëm. “Botimi i këtij fjalori me rreth 75.000 fjalë është një ndihmesë jona në pasurimin e leksikut të shqipes”, përfundon gjuhëtari.Ky fjalor po botohet në kohën kur ka kërkesa për rishikimin e normës letrare nga shumë ekspert të gjuhës. Dhe veçmas një kohë të gjatë pas botimit të fjalorit të Mehmet Elezit është shtruar nevoja për fjalor të ri. Fjalori i Mehmet Elezit përmban rreth 41000 fjalë e rreth 54000 kuptime, të cilat nuk gjinden në fjalorët e Akademisë së Shkencave të viteve 1980 e 2002. Fjalori ka edhe rreth 5300 shprehje frazeologjike. Fjalori i Elezit ilustrohet edhe me rreth 5000 fjalë të urta popullore; rreth 1000 gjëza, bestytni e paragjykime, doke, lojë-fjalësh, të dhëna për barnatimin (mjekimin) popullor, yshtje etj. Shumë prej tyre botohen për herë të parë. Prandaj, ishte nevojë që të botohen fjalorë të ri që përfshijnë sa më shumë fjalë e leksik të shqipes nga të gjitha trevat shqiptare dhe nga mërgata.

SHPËRNDAJE