Kryeministri Sali Berisha ende nuk ka fiksuar në axhendën e tij datën e saktë të takimit me ish-kryeministrin socialist Fatos Nano. Ditën e diel shef i qeverisë do të udhëtojë drejt Italisë për një vizitë një ditore nga e cila do të kthehet të hënën në darkë, çfarë do të thotë se takimi me Nanon do të zhvillohet pikërisht javën që vjen.

Burime zyrtare pranë kryeministrit bëjnë të ditur për “Gazeta Shqiptare” se ndonëse nuk ka një datë të caktuar për takimin me ish-kreun e PS-së ajo që dihet paraprakisht është se ai do të realizohet në godinën e Këshillit të Ministrave duke shmangur kësisoj takimet në hollet e hoteleve apo ambjentet e restoranteve luksoze në kryeqytet.

Megjithatë vend-takimi ende nuk është përcaktuar përfundimisht pasi në momentet e fundit mund të zgjedhin një vend jashtë godinës qeveritare sikundër mund të jetë Pallati i Brigadave.

SHPËRNDAJE