shefff

Nuk është shumë larg kur p.sh në policinë tonë u patën vërejtur disa raste keqpërdorimi të pasurisë, vjedhje, bashkëpunim me krimin apo raste tjera. Mirëpo, ato kanë qenë vetëm dy po tri raste përjashtuese dhe kjo kurrsesi nuk guxon të përgjithësohet e të futën në ‘një thes’ 8 mijë e sa policë që përfshinë shërbimi ynë policor. Përkundrazi, kam bindjen e thellë se policia jonë është më e mira në Ballkan

Dr.Shefqet Krasniqi

Nëse shikojmë rrjedhën e ngjarjeve të përditshme shohim se ka mjaftë ngjarje që thyejnë normalitetin e jetës. Megjithatë, këto fenomene jonormale konsiderohen si përjashtim nga rregulli dhe jo si rregull i përgjithshëm. Se këndejmi, në Gjimnazin Sami Frashëri p.sh, përafërsisht tri vite më parë, një nxënës vritet me armë zjarri, para shkollës, nga shokët e tij! A do të thotë kjo se tërë nxënësit e Gjimnazit Sami Frashëri janë ‘vrasës’? Ose për shembull në Australi brenda pak ditësh ndodhën tri sulme të peshkaqenëve ndaj turistëve ku njëri prej rasteve përfundoi me vdekje. A thua tërë kontinenti apo bregdeti australian është i mbushur me peshkaqenë dhe se turizmi duhet të ndalet pasi që është tejet me rrezik të shkohet atje? A thua ku mbeten ata miliona peshq të mirë e të butë atje që nuk janë peshkaqenë.?

Apo p.sh në Gjermani vitin e kaluar u dogj një shtëpi nga grupe të ndryshme të majta ekstreme dhe bashkë me atë shtëpi u dogj edhe një familje me origjinë nga Kosova. A do të thotë kjo se gjermanët janë kundër shqiptarëve!? Apo në Zvicër javën e kaluar një ujk hëngri 15 dele, megjithatë, autoritetet zvicerane nuk lejuan mbytjen e ujkut! A do të thotë kjo se tërë malet e Zvicrës janë të mbushura me ujq!?

Ky pra është vetëm një ilustrim për të nxitur mendjen njerëzore të mendoj në mënyrë objektive dhe tu shmanget paragjykimeve, ngase nuk ka asnjë vend në botë ku ka vetëm bardhë apo vetëm zi, pra mirë dhe keq, por proporcionalisht ekziston e mira por edhe e keqja. Natyrisht, mediet kanë një rol të rëndësishëm dhe varësisht se si e trajtojnë ato një vend apo fenomen ashtu edhe fitohet përshtypja për atë vend apo fenomen. Por nuk duhet përgjithësuar gjërat sepse vet përgjithësimi është i paqëndrueshëm dhe paragjykues. Nga ky këndvështrim pra duhet shikuar problemet dhe duhet gjykuar e marrë vendime.

Duke pasur këtë parasysh, mund të them pa asnjë hezitim se në vendin tonë shumica e njerëzve janë tolerant dhe të mirë, andaj përshtypja është se kosovarët janë të mirë, pavarësisht kundërshtarëve politik apo atyre që kanë prapavija për të njollosur këtë popull, e në veçanti, për të rrënuar këtë mundë të shtet-ndërtimit në rrethana tejet të vështira. Andaj, edhe pse ndodhë një rast apo dy, jashtë rregullit, madje qoftë edhe jashtë normales dhe kufijve të njerëzores megjithatë ato janë, duhet të mbesin e të trajtohen, raste përjashtuese mbi të cilat nuk duhet ndërtuar asnjë rregull i veçantë. Kjo sepse në esencë shumica absolute e njerëzve janë në rregull dhe rastet përjashtuese nuk e prishin rregullin e përgjithshëm, respektivisht tolerancën, harmoninë dhe mirëkuptimin që ka poseduar dhe posedon populli ynë.

Nuk është shumë larg kur p.sh në policinë tonë u patën vërejtur disa raste keqpërdorimi të pasurisë, vjedhje, bashkëpunim me krimin apo raste tjera. Mirëpo, ato kanë qenë vetëm dy po tri raste përjashtuese dhe kjo kurrsesi nuk guxon të përgjithësohet e të futën në ‘një thes’ 8 mijë e sa policë që përfshinë shërbimi ynë policor. Përkundrazi, kam bindjen e thellë se policia jonë është më e mira në Ballkan. Andaj, në këtë rast nëse dikush del dhe e sulmon policinë tonë, sepse i ka inat qeverisë, apo nën pretekstin se ne kemi një polici të ‘korruptuar’, apo një polici e cila paraqet rrezik për vendin tonë, a thua vallë çfarë mund t’i themi atij personi!? Për mendimin tim, një person i tillë pavarësisht se kush është, ose është injorant, që asgjë të Zotit nuk kupton, ose është keqdashës e ndjellakeq dhe si i tillë është keqbërës e mosmirënjohës ndaj popullit dhe vendit të vet.

Besoj se nga ky këndvështrim duhet shikuar edhe rasti i fundit në Siri. Mendoj se akte të këtilla të shëmtuara nuk duhet përhapur e propaganduar por ato duhet të trajtohen si raste të izoluara, përjashtuese, dhe tu ndërpritet rruga e veprimit. Kështu të paktën veprojnë mediet dhe shoqëritë civile në vendet e zhvilluara kur ndodhin akte të këtilla të shëmtuara në shoqëri, madje edhe kundër vet pjesëtarëve të po asaj shoqërie. I këtillë ishte rasti i izoluar i austriakut që, për vite me radhë, kishte dhunuar të bijën e vet në Austri apo rasti i Anders Breivik që vrau në mënyrë mizore  mbi 70 të rinj e të reja në Norvegji, përfshirë edhe një vajzë me origjinë kosovare. Besoj se në po këto dy raste kishte motive fetare prapa kriminelit por që këto dy raste u trajtuan si të izoluara dhe larg nga syri i masave. Ndërsa organet e sigurisë natyrisht se bënë punë e tyre dhe u dhanë atyre dënimin e merituar.

Besoj se edhe rasti i Sirisë, i shumëpërfolur në mediet sociale e vizuale, duhet trajtuar në këtë mënyrë. Larg nga masa dhe rast sfidues për autoritetet që të hulumtojnë në detaje, duke kërkuar fijen e lëmshit, por gjithmonë mbi baza objektive, mbi fakte e argumente, e jo mbi paragjykime apo qëllime të caktuara politike. Me fjalë tjera, duhet të merren masa përkatëse mbrojtëse për të ardhmen, se mos personi në fjalë ka bashkëpunëtorë apo rrjet që do të mund të kryente një vepër të ngjashme edhe diku tjetër. Mendoj dhe besoj se shteti ynë ka kapacitete dhe përgatitje njerëzore të bëjë një gjë të tillë. Tamam sikurse mjekët e mirë kur hasin në ndonjë virus të ri apo të panjohur më parë, ata e konsiderojnë atë si rast të izoluar, pra nuk e bëjnë të madhe, për të mos shkaktuar panik dhe frikë tek njerëzit. Mirëpo, në anën tjetër ata i qasen studimit të atij virusi duke hulumtuar të gjitha burimet dhe shkaqet që kanë mundur të çojnë deri tek ai, për të arritur ta kuptojnë se si erdhi deri tek virusi dhe si mund ta dalin atë. Në fund, mjekët edhe raportojnë mbi shkaqet dhe pasojat duke tërhequr vërejtjen për rrezikun por edhe masat mbrojtëse që duhet të merren.

Kështu punojnë dhe veprojnë shtetet e mençura të cilat ia donë të mirën vendit dhe popullit të vet, e kështu duhet të veprojmë edhe ne. Unë nuk mund të pajtoj me mënyrën se si i trajton shoqëria jonë këto fenomene përjashtuese, në veçanti mediet të cilat flasin shumë, ekzagjerojnë shumë, mbjellin urrejtje dhe paragjykime të shumta pa sjellë as më të voglën zgjidhje, qoftë edhe me ndonjë dokumentar edukativ, se si duhet të parandalojmë apo vetëdijesojmë masat, e në veçanti rininë, nga këto fenomene kaq të rrezikshme.

Nga ana tjetër, nuk besoj se do të mund të dëmtohet apo të përdhoset imazhi i një shteti, i një populli në tërësi për shkak të një akti makabër. Imazhi paqësor i Norvegjisë nuk u njollos e as që ra për tokë për shkak të veprimeve shpirtzeza të Breivik. As siguria e Austrisë nuk u hodh në dyshim përkundër dhunimit sistematik, me vite, të asaj viktime nga i ati përbindësh.

Ndaj edhe Kosovës nuk do të mund të ia dëmtoj askush imazhin, sado i krisur të jetë, nëse ne të tjerët punojmë për të rimëkëmbur e mbajtur lart imazhin e mirë të saj. ‘Problemet nuk zgjidhen me të njëjtin mentalitet me ata që i kanë shkaktuar ato, na këshillon Ajnshtajni i mençur.

Prandaj, le të jemi pak më të sinqertë me veten kush e ka dëmtuar dhe po vazhdon ta dëmtojë Kosovën më së shumti gjerë më tani? “Ekstremistët Islamikë”, dhjetë apo njëzetë persona që kanë shkuar në Siri, afro 2000 km larg, apo dhjetëra e qindra grupe bandash të cilët veprojnë lirshëm anekënd Kosovës dhe shkatërrojnë vendin dhe rininë? Sa grupe bandash janë mbyllur gjerë me tani për trafikim të qenieve njerëzore? Sa kilogramë drogë janë kapur dhe sa persona janë hedhur prapa grilave për kontrabandë droge apo degjenerim të rinisë gjerë me sot? A thua vallë a më e dëmshme për popullin tonë, për rininë tonë, janë dhjetë persona që bartin armë 2000 km larg apo dhjetë kg drogë që shpërndahen në zëmër të Kosovës, madje në pikë të ditës duke mos kursyer as shkollat e institucionet tjera ‘arsimore’? Deri kur do të vazhdojmë t’i ikim problemeve reale dhe të shpërqendrojmë vëmendjen e qytetarit nga telashet që e kanë ngulfatur të ardhmen e këtij vendi.

Para disa muajsh u kapën disa djelmosha me armë, për çka publikisht pata falënderuar policinë që parandaloi ndonjë të keqe të mundshme që do të mund t’i ndodhte vendit tonë. Bukur, por sa grupe të shpërndarjes së drogës janë identifikuar deri më tani? Sa prej tyre janë kapur apo sa kg drogë janë sekuestruar? Madje, çfarë rreth grupeve të bandave, të armatosur gjerë në dhëmb, që veprojnë në vendin tonë!? Pra, a po e shohim se si është zhvendosur vëmendja e qytetarit? Duke u përqendruar në rrezikun potencial, të pretenduar, që mund të na vjen nga një vend i huaj kemi ‘harruar’ apo i kemi mbyllë sytë, dhe vazhdojmë t’i mbyllim, para rrezikut real që gjendet mu në mesin tonë.

Në sa seanca parlamentare u diskutua ‘rreziku’ i largët ndërsa u anashkalua ai i afërt apo i brendshëm. Ndaj cili është rrezik më i madh, ai që ka mundësi të na vjen, nga Siria 2000 km larg, apo ai që tashmë është në mesin tonë kudo nëpër Kosovë. A thua pse gjithë kjo zhvendosje e vëmendjes, cili është dëmi më i madh, dhe kujt po i konvenon kjo? Pra jemi në gjendje të bëjmë gjithçka për të ‘mbrojtur’ shoqërinë nga rreziku potencial që ka të bëjë me ‘islamin’, kurse i mbyllim sytë para shkatërrimit të shoqërisë, nga drogat dhe bandat, vetëm për faktin se prapa këtyre problemeve dhe këtij shkatërrimi nuk paska elemente të fesë. ‘A më mirë një zog në grusht apo dhjetë në hava’, do të na pyeste populli ynë. Ndaj më thoni ju lutëm kush po e dëmtuaka më shumë Kosovën?

Kur jemi të ‘Ekstremistët islamikë’ me duhet të potencojë edhe një gjë. Deri kur do të vazhdojmë me retorika të huaja që për veprimet e papërgjegjshme, pandërgjegjshme dhe johumane të individëve, që nuk dëgjojnë as prindërit e vet në radhë të parë, duhet të mbahet përgjegjës Feja Islame. Përse asnjë religjion tjetër nuk mbahet përgjegjës për veprimet e paligjshme të pjesëtarëve të tyre por vetëm Islami. Përse krishterimi e as rrjetet e krishtera nuk u apostrofuan e as nuk vendosën në bankën e të akuzuarve në rastin e Andres Breivik edhe pse ai veprimet e tij pikërisht i ndërmori për motive tipike fetare. A thua a nuk po synojmë edhe ne Evropën!, atëherë përse nuk po marrim mësim nga sjelljet e qeverive evropiane në raport me qytetarët e vet madje edhe kur qytetarët janë plotësisht gabim.

A thua a mos feja dhe shkuarja në xhami e la Kosovën prapa apo korrupsioni, vjedhja, abuzimi me pasuri të shtetit, mos funksionimi i ligjit, etj? A po mund ta kuptojnë disa nga udhëheqësit tanë çfarë i kanë  i bërë vendit duke mos i lënë bukë në sofër.

Nga ana tjetër, me çka e dëshmoni se e ‘doni’ këtë vend dhe këtë popull? Madje, kush ka kontribuar më shumë për shtetin në periudhën e fundit, kujt ia ka pa dhe po ia sheh hairin Kosova më shumë hoxhallarëve, përfshirë edhe mua, që e duan këtë shtet apo pushtetarëve që e volën dhe po e vjelin këtë shtet?

Sa djem të xhamive, namazfalës, janë nëpër burgje shkak të drogës, vrasjeve apo krimeve tjera? Sa djem fetarë apo thuaj edhe zyrtarë fetarë janë të akuzuar për korrupsion në krahasim me pushtetarët, që po mundohen të lavdërohen duke u shtirë ‘me katolik se Papa’? A e shihni se feja në fakt ndihmon në parandalimin e çdo dukurie negative, përfshirë vjedhjen dhe korrupsionin? Kam bindjen e thellë se ndikimi i fesë, respektivisht besimi i njerëzve në Zot ka ndikuar që në Kosovë të ketë pasur më pak krime, që nga pas lufta e deri me sot, më shumë siguri, paqe e qetësi, përndryshe sa për funksionim të ligjit, sa për burgje, do ishte bërë më keq tek ne sesa në Shqipëri. Por feja i ka ndalur njerëzit nga dukuritë negative e jo ligji, sepse dihet fare mirë se ligji në Kosovë është vetëm në letër.

Nuk arrij ta kuptoj dot pse ka kaq fobi ndaj Islamit dhe muslimanëve në Kosovë! Pse çka do tjetër të jesh, qoftë edhe gay e i droguar, është në rregull kurse musliman praktikues është të paktën prapambeturi e më së shumti rrezik potencial për shtetin! Çfarë të këqija i solli feja islame vendit tonë, çfarë të keqe ka me qenë musliman? Fundja a nuk është feja çështje personale e secilit. A nuk jemi edhe ne qytetarë të këtij shteti që të paktën para ligji të jemi të barabartë? A nuk e dinë, apo nuk dëshirojnë ta dinë, disa e sa e sa njeriu e ka lënë drogën, hajninë, amoralitetin, dhunën në familje, e shumë dukuri tjera si rezultat i kësaj feje, unë për këtë jam dëshmitari më i mirë?

Imagjinojeni pak se për çfarë flasin e llomotisin mediet tona, ku mbeti çështja e barrikadave në veri, ç’u bë me qeverinë, parlamentin, shtetin? A thua të gjitha çështjet shtetërore,  kombëtare, rajonale i kemi rregulluar e tash na ka mbetur vetëm edhe Siria pa ‘rregulluar’.

Deri kur do të vazhdojmë ta raportojmë dikë se ku e ka vendosë kryefjalën e ku kallëzuesin përderisa tjetri i shmang milionat pa u përmendur fare. Apo dikujt t’i japim të drejtë të shpifë, sajojë, ushqejë urrejtje e paragjykime, përflasë, tallet me personalitetin e tjetrit, përulë, e gjithçka tjetër dhe në fund të mjaftohet duke thënë se kjo ishte vetëm një satirë sa për t’i (ç)lodhur lexuesit, ndërsa dikë ta shtrëngojmë që të mos mund tu flas as gjysheve me fjalorin e tyre.

Një vend pa pushtet, pa ligj, pa drejtësi e pa udhëheqësi vështirë se mund ta bindim dikë se e ka mirë apo gabim. Besoj se më së bukuri këtë e ka përshkruar populli kur thotë ‘mos hedh gurë mbi çatinë e tjetrit gjersa shtëpia jote është prej qelqi’. Apo falë Zotit që ‘popujt nuk sillen si qeveritë, përndryshe, do të duhej të intervenonte policia’. Deri në shkrimin e radhës, eselamu alejkum!

SHPËRNDAJE