Partia Socialiste ka akuzuar sot Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se po shkelë ligjin dhe po cenon zhvillimin normal të zgjedhjeve. Deputeti, Fatmir Xhafa deklaroi se PS-ja po hynë në një garë të pabarabartë në zgjedhje.

“Nesër nis beteja e madhe e qytetarit. Këto janë të parat zgjedhje që ne hyjmë pa asnjë reflektim ligjor ndaj rekomandimeve të ODIHR-it. PS nis në kushtet e një gare të pabarabartë ndërmjet palëve. Nis me një KQZ që vepron në shkelje të hapur të ligjit. Dje ndodhi skandali i fundit i radhës. Në një seancë turpi në prani të medias, pa asnjë vetëpërmbajtje shumica në KQZ deformoi përmbajtjen e fletës së votimit duke hequr nga lista partitë e koalicionit ‘Aleanca për të ardhmen’”, tha Xhafa në konferencën e dhënë për mediat sot.

Xhafa u shpreh se kjo vendimi i djeshëm i KQZ-së është vjedhje e fletës së votimit dhe po e fut procesin e zgjedhjeve në shina të rrezikshme.

“Vendimi është marrë në kundërshtim të hapur të ligjit. Deri këtu arriti paturpësia morale e opozitës. Berisha bëri dje vjedhjen e radhës, vodhi fletën e votimit. Në këtë vendim pjesa e KQZ-së e varur nga qeveria ka shkaktuar dëmtimin e standardit zgjedhor. Mosshënimi i emrave të partive përbërëse të “Aleancës për të ardhmen”, kur kjo është bërë për forcat e qeverisë, është një shenjë e qartë edhe për ata që kanë iluzione për funksionimin e këtij institucioni”, u shpreh Xhafa.

Ai shtoi “ne nuk mund të kemi asnjë besim tek kjo KQZ dhe kreu i saj. Ne nuk mund të respektojmë abuzuesit e pamoralshëm me ligjin. Kjo vendimmarrje përbën një cënim të rëndë të standardeve zgjedhore. I kërkojmë partnerëve ndërkombëtarë të reagojnë në mënyrë të paanshme ndaj shkeljeve të tilla të ligjit”

SHPËRNDAJE