ylli-pata1-347x233Nga Ylli PATA / Tesheshi.com  -Në vitin e tretë të mandatit qeverisës së socialistëve dhe LSI-së, një garë e brendshme brenda selisë rozë ka rikthyer atmosferën e vitit 2000, kohë kur Edi Rama sapo kishte fituar Bashkinë e Tiranës.

Ilir Meta ishte kryeministër me votën dhe vullnetin e partisë qeverisëse dhe Fatos Nanos, kryetar i PS-së. Por pas një viti, Nano kërkonte të ndryshonte qeverinë duke sjellë si alternativë Arben Malajn.

U zhvillua një garë e fortë brenda mazhorancës, ku lojtarët që kishin të drejtë vote morën poste dhe para në dorë duke i dhënë mandatit të dytë të socialistëve emërtimin si “periudha e artë e korrupsionit dhe ryshfetit”.

Kur Fatos Nano u rikthye në postin e kryeministrit, kishte arritur të joshë jo vetëm njerëz që ishin ende të paangazhuar në luftën brenda llojit, por edhe skifterë të Ilir Metës.

Atëherë doli në pah raca e njerëzve që shesin e blejnë pozitën oborrtare të tyre.

Ashtu ndodhi edhe në asamblenë e fundit socialiste.

Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafa, por edhe “senatorë” të tjerë si Servet Pëllumbi etj., nuk u përfshin në debatin Rama- Blushi prej një viti, por që më në fund vendosën të pozicionohen kundër Ben Blushit dhe pro Edi Ramës.

Pasi nuk kishin folur prej tre vjetësh në asamble, u vendos pazari i qëndrimit të veteranëve që janë të tillë, pikërisht pse janë kështu e jo se bëjnë diçka.

Dhe më absurdja ishte përpasja për dilemën blushiane “me Partinë apo Shqipërinë?”.

Në fakt, edhe Blushi është pjesë e kësaj nomenklature që sot kërkon vetëm fronin e Edi Ramës, por nuk se ka një pozcion, program apo edhe ekip të ndryshëm.

Madje Ben Blushi ka në ekip njerëzit që dikur kanë qenë pjesë e qeverive të pasukseshshme të Fatos Nanos, Pandeli Majkos, Ilir Metës dhe prapë Fatos Nanos.

Blushi, edhe pse konteston qeverisjen e Edi Ramës, premton një kabinet ku do të drejtojë me njerëzit që Edi Rama ka lënë në hije. Shkurt, një ndryshim oborri dhe jo establishmenti e koncepti qeverisjeje.

E tha troç në intervistën tek “Zonë e Lirë” se ai konteston totalisht mënyrën e qeverisjes së Ramës, por kërkon të qeverisë me të gjitha premtimet qe Rama bëri në vitin 2013.

Blushi me të drejtë, nëse konteston Edi Ramën duhet nxjerrë në opozitë fituesin e zgjedhjeve të vitit 2013, të udhëheqë opozitën e re ndaj qeverisë së Lulzim Bashës dhe të përgatisë ekipin e ri për qeverisje.

Ndryshe, e gjithë beteja shikohet si përplasje për “fronin e mbretit” ndërmjet pjesëtarëve të familjes. Ndërkohë që një grupim alternativ, ose i “pret kokën” mbretit ose kërkon abdikimin e tij.

Blushi erdhi në pushtet si njeri i ekipit të Ramës. Nëse u zhgënjye, duhet ta shpallë dhe të distancohet nga kjo politikë dhe këtë ta thotë hapur brenda PS-së, duke kërkuar jo thjesht ndryshimin e kryetarit por të të gjithë superstrukturës dhe infrastrukturës së PS-së.

Edi Rama, që mori vetëm postin e kryetarit, iu deshën 8 vjet për të ardhur në pushtet dhe 3 vjet për të qeverisur me kusht, jo vetëm nga LSI por edhe nga Ben Blushi dhe të tijtë. Nëse Blushi do të marrë postin e kryetarit ai do të gjendet në të njëjtën situatë me Edi Ramën: do kondicionohet si nga Gramoz Ruçi që kotrollon superstrukturën e jugut, por edhe nga Pandeli Majko që ka si marketing postin e kryeministrit të socialistëve që e ka lëvizur herë nga një krah e  herë nga një tjetër. Majko, në 2005-ën ishte në fillim kategorikisht kundër Edi Ramës kryetar i PS-së; por sot është një nga përkrahësit më të fortë të tij. Ka ndryshuar gjë?!

Jo, në fakt vetëm Majko ka lëvizur si pasojë e një marrëveshje të leverdisshme me të…

SHPËRNDAJE