Mënyra e vetme për të zhbllokuar ngërçin mes Serbisë dhe Kosovës është ajo e modelit të Tirolit Jugor, thotë për median italiane Formiche.net Alessandro Politi, Drejtor i Fondacionit të Kolegjit të Mbrojtjes së NATO-s.

“I vetmi model i arsyeshëm, dhe nuk ka rëndësi sa kushton, është ai i Tirolit të Jugut. Është sigurisht një çështje e vështirë dhe komplekse, por nuk është se ka modele të tjera të suksesshme për t’u aplikuar”, pohon Politi.

Kështu mund të vije deri të njohja e Kosovës nga Serbia deklaron italiani, “ndonëse gjithmonë e mbajtur peng nga Rusia në Këshillin e Sigurimit, më në fund mund të arrihet me 2/3 e vendeve që e njohin atë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së: kjo do të ishte një pikë shumë e rëndësishme”.

 

Në një bisedë me gazetarin Francesco De Palo, Politi pohon se përkundër tensioneve të rritura në veri të Kosovës, nuk parasheh të eskaloi në një luftë të hapur.

“Serbia do të kishte gjithçka për të humbur duke shkelur marrëveshjet tekniko-ushtarake me NATO-n dhe Serbia do ta shihte veten të penguar nga KFOR-i në të cilin siç dihet komandojnë italianë, turq, grekë dhe amerikanë”, thotë Politi.

Ai ka komentuar edhe dislokimin e shumë trupave të ushtrisë serbe në kufi me Kosovën, derisa thotë se rritjen e tensioneve po e shkakton presidenti serb Aleksandër Vuçiç.

“Vuçiç po shton tensionin por nuk është hera e parë që ai u drejtohet këtyre mjeteve dhe nuk është hera e parë që autoritetet kosovare i kërkojnë KFOR-it të çmontojë postblloqet. Kurti është fuqishëm kundër krijimit të asociacionit të famshëm të komunave me shumicë në Kosovë: ai beson se kjo do të krijojë një lloj mini-shteti armiqësor. Këta njerëz do të vazhdojnë t’i drejtohen gjithmonë Beogradit”.

Por, Politi deklaron se “problemi nuk është edhe aq konstituimi i këtij komuniteti që kundërshton Kurti, nuk e them nga parimi, por për një sërë arsyesh që ndoshta nuk janë aq solide sa mendon ai”.

“Problemi është varësia e serbëve të Kosovës nga Beogradi për gjëra jashtëzakonisht konkrete, të cilat të gjitha qeveritë në Prishtinë i kanë toleruar. Për më tepër, prania e një liste të vetme serbe që përfaqësonte të gjithë serbët ishte pjesë e një akti balancues që duhej luajtur me dorë të lehtë”.

Sa për ndikimet nga jashtë, Politi beson se “rusët janë shumë realistë dhe e kanë kuptuar se ka pak vend për ta në Ballkan”.

“Është e qartë se ata përpiqen: por në realitet lufta në Ukrainë ka përshpejtuar tani për tani synimet e shumë kryeqyteteve evropiane për të mbyllur dosjen ballkanike, duke integruar përfundimisht Ballkanin. Tashmë Ballkani është, si të thuash, i mbrojtur në mënyrë ideale nga fakti se ekziston një grup vendesh të NATO-s që i izolon nga konflikti”.

Albanian Post pati raportuar se modeli i Tirolit Jugor ishte një nga modelet që po diskutohet për zgjidhje ne Veri.

Modeli është prezantuar si ide edhe nga amerikanët, saktësisht Gabriel Escobar.

Edhe pse, në deklarime asnjëherë nuk është saktësuar me emër, por është thënë se “ka modele shumë të mira evropiane”.

Tiroli Jugor

Përbëhet nga dy provinca: Trento, në të cilën jetojnë folësit e gjuhës italiane dhe Tiroli Jugor, ku jetojnë folësit e gjuhës gjermane. Kjo zonë ishte pjesë e Austro-Hungarisë deri në aneksimin nga Italia në vitin 1919. Nga viti 1919 deri në vitin 1947 rajoni quhej Venecia Tridentina.

Ky rajon autonom kufizohet në veri me Austrinë, në perëndim me rajonin e Lombardisë dhe në jug me Veneton. Rajoni ka një sipërfaqe prej 13.619 km², është krejtësisht malor dhe përfshin zonën e Dolomiteve dhe Alpeve Jugore.

Tiroli Jugor

Në vitin 1943, pasi kapitullimit të Italisë, rajoni u pushtua nga Gjermania Naziste dhe u sundua deri në mbarim të luftës. Sundimi italian u rivendos në vitin 1945.

Gjatë miratimit të kushtetutës së re italiane, në vitin 1946, Italia dhe Austria arritën marrëveshje për t’i dhënë autonomi të konsiderueshme këtij rajoni.

Kushtetuta hyri në fuqi në vitin 1947. Gjuha gjermane dhe gjuha italiane ishin dy gjuhët zyrtare, dhe gjuha gjermane përsëri u lejua në shkolla.

Megjithëse u arrit kjo marrëveshje ajo nuk i kënaqi as popullsinë gjermanishtfolëse, as qeverinë austriake dhe kështu u rritën tensionet ndërmjet dy shteteve. Kjo çështje u soll para OKB-së, në vitin 1960. Raundi i ri i negociatave u zhvillua në vitin 1961, për shkak të veprimeve terroriste që kishin filluar separatistët.

Bolzano, Tiroli Jugor

Në vitin 1971 u arrit në marrëveshje, që kontradiktat mbi Tirolin e Jugut të zgjidhen në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Gjithashtu u arrit marrëveshja për autonomi më të madhe për rajonin dhe u ra dakord që Austria të mos ndërhyjë në punët e brendshme të rajonit.

Marrëveshja ishte e kënaqshme, dhe tensionet separatiste u qetësuan. Pozita e rajonit është përmirësuar me hyrjen e Austrisë në BE, në vitin 1995, gjë që ka përmirësuar bashkëpunimin ndër-kufitar.

SHPËRNDAJE