Në kantonin Solothurn të Zvicrës zyrtarisht është ngritur padia për mashtrim kundër deputetit të Parlamentit të Kosovës, Azem Syla. Prokurori Felix Bänziger ka thënë se është ngritur padia për veprën kriminale të Sylës, i cili sistematikisht ka mashtruar shtetin e Zvicrës, dhe ai mund të detyrohet ti kthej paratë.

“Shkelje të ligjeve federale në përfitimin e ndihmave dhe mashtrim” janë pikat kryesore të padisë sipas prokurorit. Hapi i parë sipas tij është ekzaminimi total i rastit dhe kërkesa që brenda një jave të merret vendimi për këtë çështje.

Mediat zvicerane flasin për shumën prej 426 mijë frangave që supozohet se Syla ka përfituar për disa vite në mënyrë të paligjshme. Pagesat janë ndalur në shkurt të vitit 2011 dhe Sylës i është kërkuar të kthejë mbrapa 191 mijë franga, por kjo mund të jetë e vështirë për shkak të sistemit të komplikuar të pagesave dhe që në masë të madhe varet sigurimet e kantonit Solothurn.

Gjykata Administrative e kantonit, në muajin shkurt të këtij viti ka vendosur për dëbimin e Sylës deri më 15 maj 2012 nga shteti i Zvicrës. Por, vetë deputeti kosovar, Syla ka paralajmëruar ankesë në Gjykatën Federale.

Tashmë debati nuk po zhvillohet vetëm në institucionet e drejtësisë, por edhe në publik. Ministri i brendshëm zviceran, Alain Berset, ka thënë se një hetim i detajuar do të zhvillohet, sepse rasti është i ndjeshëm dhe ka të bëjë me një mashtrim disa vjeçar të sistemit të përkujdesjes sociale. /Telegrafi/

SHPËRNDAJE