Ka mjaftuar një gol me mjaft vlerë i shënuar nga Pacini në minutat e para të pjesës së dytë, që Interi të marrë 3 pikët përballë Leces dhe ta shohë veten vetëm 2 pikë larg kreut.

Puljezët rezistuan mjaft mirë pjesën e parë, që u mbyll pa gola. Në pjesën e dytë, Inter vazhdon të kërkojë golin e avantazhit, të cilin e gjen vetëm 7 minuta nga nisja e kësaj pjese. Pacioni gjen rrjetën pas një topi të marrë nga Pandev.

Zikaltërit, në minutat në vazhdim patën edhe disa raste të tjera për të dyfishuar avantazhin, por pa mundur të rigjejnë rrjetën kundërshtare. Gjithsesi, kjo fitore i ngjit në kuotën e 60 pikëve, 2 më pak se Milani kryesues.

Lajmi i keq në këtë ndeshje për Leonardon ishte ndëshkimi me karton të verdhë i brazilianit Lucio i cili do të mungojë përballë derbit me Milanin që luhet pas dy javësh për shkak të mbushjes së numrit të kartonëve.

Tek fitorja është rikthyer edhe Juventusi. Bardhezintjë mposhtën me vështirësi 2-1 Breshian. I pari që shënoi ishte Milos Krasic në minutën e 23. Por 3 minuta nga përfundimi i kohës së rregullt të pjesës së parë, Breshia barazon me anë të Eder.

Në pjesën e dytë, Juventus vazhdon trysninë mbi kundërshtarët në kërkim të golit të avantazhit dhe marrjes së trepikëshit i munguar që prej katër ndeshjesh. Këmbëngulja e bardhezinjve, u shpërblye në minutën e 68, kur Del Piero, gjen rrjetën kundërshtare. Minutat në vijim nuk ndryshuan rezultatin, Juventus fiton 2-1.

Në ndeshjen e luajtur më herë, Roma barazoi në transfertë përballë Fiorentinës 2-2. Protagonist për verdhekuqtë në këtë ndeshje ishte kapiteni Toti me dy golat e shënuar që e ngjisin atë në kuotën e 201 golave me fanelën romane.

Ndërsa, Udineze vazhdon marshimin e saj. Friulianët edhe këtë herë, arritën të fitojnë pastër, 2-0 përballë Katanias. Sampdoria dështoi përballë Parmës në fushën e saj duke u mundur 0-1. Kievo mundi po në transfertë Barin 1-2 ndërsa Bolonja e Xhenoa barazuan 1-1.

Ndeshja mes Napolit dhe Kaljarit që luhet në mbrëmjë, mbyll javën e 30 të Serisë A.

SHPËRNDAJE