Shtypi gjerman: “Ambasadori Dell kumtoi lajmin e gëzuar”

Me ndihmën amerikane qeveria dhe opozita të enjten gjetën rrugëdalje nga kriza e parë kushtetuese e shtetit të ri. Jahjaga është pothuajse e panjohur për opinionin kosovar. Por shumë më mirë atë e njohin amerikanët. “Me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Prishtinë, qeveria dhe opozita në Kosovë arritën një kompromis për emrin e ardhshëm të presidentes së Kosovës. Kompromisi ishte i nevojshëm, sepse Gjykata Kushtetuese e kishte shpallur më parë si antikushtetuese zgjedhjen e sipërmarrësit zviceran Behxhet Pacolli për president të Kosovës. Para se emri i saj të përmendej si kandidate, zonja Atifete Jahjaga tani në moshë 35 vjeçare për shumë kosovarë ishte emër i panjohur. Ajo do të jetë vetëm një presidente kalimtare, pasi kjo parashikohet në marrëveshjen e arritur mes qeverisë dhe opozitës për ndryshimin e kushtetutës sipas së cilës në të ardhmen presidenti do të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli”, thuhet ndër të tjera në “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, transmeton DV. Ndërkaq me titullin “Një police për presidente” të gazetarit Norbert Mappes Niediek në gazetën e kryeqytetit gjerman “Berliner Zeitung” ndër të tjera lexojmë: “Ishte ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell ai i cili kumtoi lajmin e gëzuar: kriza mbaroi, presidente e vendit të vogël në Ballkan për një kohë kalimtare do të jetë zëvendësdrejtoresha e Policisë së Kosovës, Atifete Jahjaga. Dell ishte ai, i cili pak orë më parë me thirrjen e tij e kishte befasuar gruan së cilës i mungon tërësisht përvoja politike. Ndaj pyetjes do të bëhesh presidente, Jahjaga nuk hezitoi. Me ndihmën amerikane qeveria dhe opozita në natën e së enjtes gjetën rrugëdalje nga kriza e parë kushtetuese e shtetit të ri… Atifete Jahjaga vjen nga qyteti i Gjakovës në perëndim të Kosovës dhe është e martuar me një mjek. Ajo është pothuajse e panjohur për opinionin kosovar. Por shumë më mirë atë e njohin amerikanët: që kur në vitin 2000, vetëm një vit pas themelimit të Policisë së re të Kosovës ajo kishte filluar punë si përkthyese, amerikanët e kanë mbështetur juristen e paparti. Ajo ka studiuar në Akademinë e FBI së, fitoi një bursë për Qendrën Marshall për politikën e sigurisë dhe i është prezantuar të gjithë politikanëve të shquar amerikanë që kanë vizituar Kosovën… Përndryshe gratë në Kosovë jo vetëm në polici, por në përgjithësi në jetën publike janë gjithnjë e më të pranishme. Vetë fakti që kemi gra me uniformën policore ka ndryshuar fort imazhin e policisë, ka thënë njëherë presidentja e tanishme e vendit… Pjesëmarrja e grave në polici në Kosovë është 14 për qind, në Gjermani 24 për qind ndërsa në Austri vetëm 10 për qind. Me Mimoza Kusarin dhe Edita Tahirin qeveria e re ka dy zëvendëskryeministre. Ndërkaq në parlamentin e Kosovës gratë janë të përfaqësuara me 30 për qind”, informon ndër të tjera “Berliner Zeitung”.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni