Qesharake, disa media shqiptare bënë mal me shkrime mbi Malin, më shumë se ato serbe ?!

Shkruan: Behxhet PACOLLI

Përderisa jam duke fluturuar në qiellin e Afrikës për të lobuar për Kosovën, akoma më vjen keq nga jehona e kënaqësisë dashakeqe të disa qarqeve mediatike dhe politike në Prishtinë, në lidhje me të ashtuquajturën çështje të Malit. Si njeri, si qytetar i Kosovës, si politikan, më vjen keq se në Kosovë disa media reaguan me gëzim më të madh sesa ndonjë media në Serbi në lidhje me të ashtuquajturin përgënjeshtrim të autoriteteve të Malit. Madje dikush përdori në median e vet online titullin se, “Mali përgënjeshtron Pacollin”! A thua se në lidhje me njohjet e shtetësisë, unë përfaqësoj ndonjë pozicion privat dhe jo qeverinë e Kosovës!
Meqenëse në lidhje me këtë çështje janë bërë shumë artikuj, është shpenzuar shumë bojë, janë hapur shumë gojë, atëherë po bëj disa sqarime. Po mundohem të sqaroj të ashtuquajturin përgënjeshtrim të autoriteteve të Malit; pra, se si ne morëm një njohje formalisht korrekte nga institucioni përgjegjës për politikën e jashtme, porse ushtria, faktor me rëndësi në një vend në konflikt, mund ta ketë prapësuar vendimin. Do të merrem pak me tezën e vazhdueshme të dikujt që s’di gjë tjetër për lobimin sesa të flasë për njëfarë duplifikimi të politikës së jashtme në Kosovë. Do të sqaroj pikëpamjen time për nevojën e koordinimit me miqtë tanë ndërkombëtarë. Më në fund dua të them diçka dhe në lidhje me atë nëse Kosova ka apo jo sukses në lidhje me njohjet që ka arritur, pra, a është numri mbi 90 i njohjeve, një numër i suksesshëm për një vend si i yni.
Ka pasur një njohje të vërtetë dhe nota verbale ishte korrekte. Procesi është prapësuar nga ushtria.
Meqenëse disa gjoja kritikë dhe disa gjoja ekspertë duan të bëjnë diferencime midis qëndrimeve të mia në lidhje me Malin dhe atyre të Ministrisë së Jashtme, unë po i përgjigjem me të kundërtën. Po bëj diçka të pazakontë si zëvendëskryeministër, po citoj zëvendësministrin e Jashtëm, zotëri Petrit Selimin, i cili tha: ne na ka mbërritur një dokument zyrtar, një notë verbale, e cila konfirmon njohjen. Derisa nuk na ka mbërritur një dokument tjetër, i cili të përgënjeshtrojë të parin, ne besojmë se e kemi njohjen e këtij vendi.
Por jo, u çorën gjoja ekspertët dhe gjoja kritikët: mediat thonë të kundërtën. Këta individë i kundërvënë një dokumenti zyrtar një deklarim mediatik! Pse duhet të jenë të besueshme deklaratat nëpërmjet e-mail-it, qoftë dhe të përcjella nga një agjenci kineze lajmesh dhe s’ishte i besueshëm një dokument zyrtar që pasi u shqyrtua nga Ministria jonë e Jashtme, u konsiderua autentik? Ky është thelbi i diskutimit dhe unë i sfidoj të gjithë të më japin përgjigjen. Unë, autoritetet e Ministrisë së Jashtme kemi parë një notë verbale, një dokument zyrtar të një shteti. Këta gjoja kritikët dhe gjoja ekspertët vetëm kanë dëgjuar deklarime mediatike. Pse duhet të kenë të drejtë ata kur thonë se dokumenti është fals apo se e paskam shpikur unë? Qesharak nga urrejtja për mua bëhet njëfarë analisti brenda grupit të mësipërm. Sipas asaj deklarate përhapur nga media kineze që ai i referohet, përgjegjësia për dokumentin kërkohet në Mali, ndërsa ky kërkon tek unë përgjegjësi penale. Dikush tjetër si tip analisti gjithashtu thoshte se, “kjo që po ndodh cenon marrëdhëniet e Kosovës me Malin!”. Çfarë marrëdhënie kemi ne me Malin? A janë seriozë këta njerëz?
Ndërkohë, unë pa bërë gazetarin, dua të shtroj disa pyetje.
Si filloi zhurma mediatike? Pse një media e Kosovës duhet të botojë në datën 24 gusht një përgënjeshtrim që bëhej vetëm në një gazetë kineze në anglisht? Unë s’dua të bëj asnjë supozim, por deri atëherë asnjë media tjetër, pra, as dhe një media e Malit, nuk e ofronte si lajm refuzimin e njohjes. Madje dhe mediat serbe dhe ruse reaguan duke u mbështetur mbi atë gazetë kineze. Pse atëherë një gazetë kosovare reagon me gëzim për mundësinë e refuzimit të njohjes? Dhe ç’është për habi, prej kësaj mediaje kosovare, të gjithë mediat e tjera të Kosovës e dhanë lajmin e refuzimit të njohjes.
Unë nuk mund të them gjithë ç’ka ndodhur, por me sa duket lajmi i njohjes së Kosovës ka bërë efekt aq të madh sa duhet të jenë vënë në lëvizje fuqi të mëdha, që mund ta kenë shtyrë institucione të caktuara të Malit ta rishikojë njohjen, e cila ka qenë autentike. Dua të pyes dhe diçka tjetër që e konfirmon dyshimin tim. Pse misioni i Malit në OKB nuk reagoi pasi Kryeministri Thaçi në datën 21 gusht i falënderoi autoritetet e Malit për njohjen në Këshillin e Sigurimit, po në OKB? Pse u desh të kalonin disa ditë përpara se mediat maleze të citonin një deklaratë të Presidencës së Malit që e mohonte njohjen?

Çfarë ka ndodhur gjatë atyre ditëve?

Unë mund të them me siguri se nota verbale është autentike. Tash që jam në Afrikë, nga informacionet që kam, me siguri nën ndikimin e fuqive të caktuara nga jashtë, më pas në proces ka ndërhyrë ushtria, një faktor i rëndësishëm me të cilin ne s’kemi asnjë kontakt. Gjatë 5 vizitave të mia në Mali kam takuar dhe Presidentin e mëparshëm dhe Presidentin interim apo Presidentin e tanishëm, që sot tenton të udhëheqë këtë vend, që më kanë premtuar njohjen.
Siç u bë e njohur botërisht, Presidenti që sot përpiqet ta drejtojë Malin më dërgoi notën verbale. Ne kemi prezantuar para opinionit publik vendor dhe botëror një njohje korrekte nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare. Por, ne s’mund të mbajmë përgjegjësi për zhvillimet interne në Mali dhe përfshirjen e ushtrisë. Ne s’kemi fuqi të ndalojmë zhvillimet negative të brendshme në një vend tjetër, kur për më shumë në lojë ka hyrë ushtria, me të cilën ne s’kemi asnjë punë. Në fund të fundit, kjo që ndodh është diçka e imagjinueshme për një vend me probleme. Por, ne s’kemi dështuar dhe puna për njohjet në Afrikë vazhdon më fort se më parë.

Njohja e Malit ka rëndësi simbolike, jo individuale

Siç thashë, aktorë të fuqishëm mund të kenë ndërhyrë nëpërmjet ushtrisë për ta bllokuar apo kthyer mbrapsht njohjen e Malit. Pse? Sepse Mali është një vend shumë i rëndësishëm për Perëndimin e Afrikës dhe kjo njohje mund të ndikonte dhe në diplomacinë e vendeve të tjera. Përveç këtij fakti, njohja prej Malit vinte në një moment shumë të veçantë në marrëdhëniet e Kosovës me rajonin dhe botën, duke e forcuar imazhin e Kosovës. Dhe për kundërshtarët e Kosovës, me Serbinë në krye, në asnjë mënyrë nuk duhej të prodhohej një lajm i mirë për vendin tonë.
Ndaj unë i ftoj dashamirësit, por dhe keqdashësit e mi, që në këtë rast janë keqdashësit e Kosovës, të kuptojnë më shumë nga situata e Malit. Ky vend është praktikisht i ndarë dhe një pjesë e tij është përfshirë në një konflikt real, në një lloj lufte civile; mungon uniteti ekzekutiv, uniteti i institucioneve. Disa institucione janë të përkohshme. Pra, është reale mundësia që një institucion të thotë diçka dhe një tjetër të thotë të kundërtën, apo aq më shumë që të rishikohet pozicioni i tij.
Por, ndërkohë duhet të kuptohet se njohja e Malit, apo e një vendi tjetër, nuk ka vlerë individuale, siç pretendonte dikush që kishte hallin e marrëdhënieve të Kosovës me Malin. Ajo që ka rëndësi të jashtëzakonshme diplomatike është kapërcimi i kufirit prej 100 njohjesh. Ky kufi prej 100 vendesh që e njohin Kosovën është kufi psikologjik.
Njohja nga Mali është psikologjike gjithashtu. Kjo njohje mund të vinte në lëvizje një reaksion zinxhir në vende të tjera afrikane. Kalimi i këtij kufiri do të motivonte miqtë tanë perëndimorë, që ne të ndërmerrnim një iniciativë diplomatike në OKB për pranimin e Kosovës. Në një rast të tillë, s’do të kishte çudi që pro Kosovës në Asamble të votonin më shumë sesa 100 vende. Mund të ndodhte madje që dhe ndonjë vend që na ka njohur të mos votonte pro, ashtu si shumë vende që s’na kanë njohur do të votonin pro. Kalimi i këtij kufiri prej 100 vendesh, pra gati më shumë sesa gjysma e shteteve që kanë ekzistencë normale, s’po flas për shtete shumë të vegjël, do të na krijonte mundësi që të anëtarësoheshim dhe në organizata të tjera ndërkombëtare si ato sportive, financiare, etj.
Dhe diçka tjetër për njohjet. Unë e di mirë se njohja nga pikëpamja formale mund të quhet e përkryer kur kemi një notë verbale. Por, ne do të punojmë dhe për njohjet informale, do të punojmë për njohjet faktike, do të punojmë që Kosova të njihet në botë dhe kur të vijë puna në OKB të kemi më shumë vota sesa njohje formale. Unë dua të sfidoj gjoja kompetentët: pse anëtarësimi i Kosovës në organizatat financiare ndërkombëtare mori 105 vota, pra më shumë sesa janë njohje formale të shtetësisë së Kosovës?

Unë nuk duplifikoj njeri, të tjerët ndoshta më duplifikojnë mua

E kam vënë re se vend e pavend, me shkak dhe pa shkak, mediat dhe në mënyrë zinxhirore dhe disa qarqe politike merren me çështjet e njohjeve dhe dikush flet për duplifikim. Të nderuar zotërinj, unë nuk duplifikoj askënd. Sipas hierarkisë së shtetit të Kosovës, unë jam numri dy i qeverisë, pasi kam qenë për një kohë të shkurtër Kryetar i Shtetit të Kosovës. Unë vetë nuk pranova të bëhesha ministër i Jashtëm, sepse doja të fokusohesha vetëm tek njohjet. Unë e udhëheq politikën e njohjeve, kjo është shkruar e zeza në të bardhë. Më vjen keq që dikush jashtë apo brenda shumicës nuk e kupton se s’mund të arrihet kurrë në fushën e njohjeve çka mund të arrij unë. Nuk është mungesë modestie të them se për shkak të eksperiencës biznesore unë kam një bagazh të jashtëzakonshëm njohjesh në nivel kryetarësh shtetesh, mbretër, presidentë, kryeministra apo zyrtarë të lartë. Nëse nuk do ta kisha atë eksperiencë, pra këtë bagazh, unë do të dështoja me lobimin me kostumin e zëvendëskryeministrit të një vendi që nuk është ende anëtar i OKB-së. Është kjo eksperiencë; ky bagazh; është teknologjia ime diplomatike, që nesër do të studiohet nëpër universitete; është rrjeti im i miqve ndërkombëtarë; është angazhimi im i gjithanshëm që më ka siguruar suksesin. Më vjen keq, por askush në Kosovë nuk mund ta ketë këtë eksperiencë, këtë bagazh, këtë teknologji. Janë madje improvizime qesharake, propozimet për angazhime në lobim nga Komisioni i Jashtëm, apo nga institucione të tjera, ashtu siç janë qesharake dhe mburrjet prej ndokujt se ka marrë premtime për njohje, apo pozat prej eksperti nga dikush tjetër. Nëse ka duplifikime, duplifikimet i bëjnë të tjerët dhe jo unë. Unë jam në rolin tim, unë bëj atë që di dhe mund ta bëj më mirë, jo për mëditje siç mund ta bëjë dikush, jo për të menaxhuar ndonjë fond, por për t’i shërbyer Kosovës. Unë s’mund t’i bëj asgjë dikujt që më duplifikon, unë s’jam Kryeministër. Më vjen keq, por ata që mundohen të më dublojnë, si dhe ata që më kritikojnë në këtë kontekst s’janë seriozë. Kjo po kuptohet sot dhe do të kuptohet më mirë nesër.

Miqtë tanë ndërkombëtarë na kanë ndihmuar shumë, por ne duhet të ndihmojmë veten

Siç e kam thënë dhe herë të tjera, roli i miqve tanë perëndimorë, i kancelarive ka qenë i jashtëzakonshëm dhe rezultativ veçanërisht në valën e parë të njohjeve. Sot, siç e pranoi me realizëm miku ynë, ambasadori Fitou, nuk kemi atë fluks njohjesh siç është pritur. Pse? Nuk është detyra ime për ta bërë publike analizën, por disa arsye mund të përmblidhen shkurt. Ka një koniunkturë ndërkombëtare të pafavorshme. Miqtë tanë ndërkombëtarë kanë listë të gjatë prioritetesh dhe Kosova s’është prioritet i parë siç ka qenë dikur. Shumë vende e ngrejnë pazarin për të na dhënë njohjen, nëse ajo i kërkohet nga një fuqi perëndimore. Madje kam dëgjuar se disa shtete afrikane kërkuan faljen e borxheve shtetërore në këmbim të njohjes së Kosovës. Këto janë disa arsye pse nuk funksionon i ashtuquajturi lobim në qendrat e mëdha të vendosjes siç propozon dikush që nuk ka sjellë një njohje të vetme. Ndërsa teknologjia ime është diçka tjetër, ajo funksionon përveçse në prezantimin e Kosovës dhe të arriturave të saj dhe nëpërmjet rrjetit të njohjeve personale. Ajo mbështetet tek miqtë tanë perëndimorë, NGO të fuqishme amerikane si CSIS; Akademi Diplomatike me famë si ajo britanikja, miq individualë, sportistë të shquar, etj., etj. Unë jam koordinuar me anëtarë të Kongresit, me Departamentin e Shtetit, etj., etj.
Më në fund ne duhet të punojmë shumë vetë, që pastaj të kërkojmë mbështetjen e miqve. Po nuk bëmë diçka vetë, s’mund të presim dhurata prej të tjerëve. Mund të ngjajë si shumë e personalizuar qasja ime e prezantimit të njohjeve. Mbase, por unë jam politikan që vij nga biznesi ku rezultati ka më shumë rëndësi sesa fjalët. Dhe e dua suksesin.

Suksesi i njohjeve

Krahas shumë artikujve në shtypin e Kosovës, në lidhje me çështjen e Malit, lexova me vëmendje një artikull në shtypin e Shqipërisë. I shkruar me një qasje tradicionaliste nga një ekspert i vërtetë, ish-ambasador i Shqipërisë, ish-gazetar për marrëdhëniet ndërkombëtare, ish-drejtor i Ballkanit në MPJ e Shqipërisë, ky artikull ishte kritik dhe ndaj meje. Shqetësimit të këtij autoriteti, zotit Shaban Murati për publikimin e parakohshëm të njohjeve nga ana ime në ndonjë rast, unë i përgjigjem se në raste specifike ajo ka të bëjë me elementë të caktuar të situatës konkrete në një vend apo kontinent të caktuar. Pra, është pjesë e teknologjisë time, publikimi i parakohshëm i ndonjë njohjeje, duke ruajtur gjithmonë konfidencialitetin e bisedave. Ama unë nuk mund të mbaj përgjegjësi për premtimet e të tjerëve se po kanë premtime për njohje që s’po vijnë akoma. Ndërkohë prej artikullit të këtij eksperti të Shqipërisë, si përgjigje ndaj kritikëve që i ftoj të jenë më të duruar, kam marrë këto fjali:
“.. njohja e Kosovës nga 91 shtete, brenda këtyre katër vjetëve e gjysmë është një sukses… mbaj distancë dhe nga grupi i atyre që flasin në majë të mullarit se po të kishin qenë ata në krye të qeverisë së Kosovës furtuna e njohjeve do të kishte rrëmbyer 192 shtete të OKB-së. Nuk duhet harruar se shtetet e reja, që dolën nga ish-Jugosllavia, në kohën kur kishin moshën e shtetit të Kosovës, nuk kishin njohur ende nga pikëpamja diplomatike njëri-tjetrin dhe as një e treta e shteteve që kanë njohur Kosovën, nuk i kishin njohur ish-Republikat jugosllave. Nuk duhet harruar se as Kinën, që është nga fuqitë më të mëdha të botës, edhe sot e kësaj dite nuk e njohin të gjithë shtetet anëtare të OKB-së”. S’janë fjalët e mia këto.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni