Nga Leonard KERQIKU

Atifete Jahjaga ka plotësisht të drejtë të mos e lëshojë postin e Presidentes deri në vitin 2016. Sot një javë mbase do ta kemi të qartë plotësisht të ardhmen politike të Atifete Jahjagës, zonjës që mëngjesin e 5 prillit 2011 ishte police, kurse dy ditë më pas u betua si Presidente e Republikës së Kosovës.

Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa duan që Atifete Jahjaga të mbetet në Presidencë. I pari e di se në këtë fazë do ta humbiste garën presidenciale, kurse të dytit kjo i konvenon për shkak të koalicioneve për zgjedhjet nacionale që tashmë i ka hartuar në kokën e tij. Nga ana tjetër, Atifete Jahjaga ka plotësisht të drejtë të mos e lëshojë postin e Presidentes deri në vitin 2016. Sot një javë mbase do ta kemi të qartë plotësisht të ardhmen politike të Atifete Jahjagës, zonjës që mëngjesin e 5 prillit 2011 ishte police, kurse dy ditë më pas u betua si Presidente e Republikës së Kosovës.

Gjykata Kushtetuese pritet ta konsiderojë si jokushtetuese mënyrën sesi është paraparë shkurtimi i mandatit të Presidentes aktuale nga Komisioni për Ndryshimet Kushtetuese – i formuar në bazë të Marrëveshjes Thaçi-Mustafa-Pacolli.

Kur vendimi t’i shkojë në Zyrë, Jahjaga duhet të vendosë nëse do të mbetet në Presidencë, meqenëse këtë ia mundëson vendimi i Gjykatës Kushtetuese apo të japë dorëheqje dhe t’i përmbahet një zotimi publik, duke i hapur kështu rrugë shpalljes së zgjedhjeve të para presidenciale.

Faktet tregojnë se ajo do ta zgjedhë opsionin e parë dhe dëshmi e kësaj është letra që i ka dërguar Gjykatës Kushtetuese me argumentet se shkurtimi i mandatit të saj është shkelje e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.

Dhe, mirë bën.

Atifete Jahjaga s’ka pse e respekton marrëveshjen politike mes Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Behgjet Pacollit, meqenëse ajo nuk ishte pjesë e marrëveshjes, por produkt i asaj marrëveshjeje të tre liderëve.

Janë qesharake deklaratat e zyrtarëve të partive politike që bëjnë thirrje moraliste në adresë të Presidentes aktuale. Pavarësisht se Jahjagës i pëlqen të mbetet në Presidencë, ajo e ka një atu të fortë në dorë për ta arsyetuar mbetjen e saj në këtë post të rëndësishëm: Vendimin e Gjykatës Kushtetuese. E, kjo është arsye e mjaftueshme që askush dhe në asnjë rast të mos bëjë kualifikime moraliste.

Ironia më e madhe në këtë situatë është se, pavarësisht marrëveshjes që kanë arritur në prill të vitit të kaluar, tash Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa nuk e duan respektimin e kësaj marrëveshje dhe që të dyve u konvenon që Atifete Jahjaga të mbetet në Presidencë.

Ka shumë spekulime për arsyet që i shtyjnë dy liderët kryesorë të vendit ta mbajnë këtë qëndrim, por më bindës më duken pohimet e një diplomati të rëndësishëm perëndimor, me të cilin bisedova këto ditë dhe që për arsye etike nuk po ia përmend emrin.

E para, Hashim Thaçi është i bindur se sikur zgjedhjet presidenciale të mbaheshin tani, PDK nuk fiton dot. Duke vënë si kandidat Jakup Krasniqin, për çdokënd është më se e sigurt se ai nuk do të arrinte të fitonte në raundin e parë, kurse në raundin e dytë të gjitha partitë do të bëheshin kundër dhe ai do ta humbiste garën.

E dyta, LDK e ka të vështirë të përcaktohet për kandidatin e saj për President. Isa Mustafa vetë nuk e dëshiron këtë post, derisa shumëkush në LDK beson se kandidimi i Sabri Hamitit nuk ia siguron atij as balotazhin, e lëre më fitoren.

Për më tepër, mbajtja e zgjedhjeve presidenciale do t’i prishte shumë punë Isa Mustafës në hartimin e koalicioneve të ardhshme për zgjedhjet nacionale.

Siç dihet, Isa Mustafa synon të garojë në një listë zgjedhore me AAK’në. Aktualisht mendohet se nëse Presidentja aktuale lëshon rrugë, atëherë zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare do të mbaheshin njëherësh ose shumë afër njëra-tjetrës. Në një situatë të tillë, AAK, do të bënte presion që Isa Mustafa të jetë kandidat i përbashkët për President, kurse Ramush Haradinajt për Kryeministër.

Pikërisht për këtë, mbetja e Atifete Jahjagës në Presidencë, do t’i mundësonte Mustafës që të negocionte me Haradinajn për poste të rëndësishme qeveritare, por jo edhe për postin e Kryeministrit.

Pavarësisht kalkulimeve politike që i bëjnë Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, ata do të pushojnë së foluri për zgjedhjet presidenciale në ditën kur Gjykata Kushtetuese do ta cilësojë si jokushtetues shkurtimin e mandatit të Presidentes aktuale.

Njëherësh, këtë vendim nuk mund ta kundërshtojë as Behgjet Pacolli, njeriu më i interesuar në Kosovë për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale, por as partitë tjera që deri diku janë të interesuar për këto zgjedhje, siç është Vetëvendosje! apo AAK.

Personalisht besoj se në këtë fazë asnjë kandidat nuk do të ishte më i denjë sesa Atifete Jahjaga për të qenë në krye të Shtetit të Kosovës.

Janë disa arsye që më shtyjnë ta mendoj këtë. E para, nuk është e korruptuar, ka zgjedhur profesionalisht gjykatësit dhe prokurorët e rinj, ka dëshmuar paanësi të plotë politike, ka mbajtur qëndrime të drejta kundrejt gjitha ngjarjeve më të rëndësishme me të cilat është përballur vendit gjatë katërmbëdhjetë muajve të presidencës së saj, ka përfaqësuar denjësisht vendin në arenën ndërkombëtare dhe mbi të gjitha gjatë kësaj kohe të vetmet shkrime pozitive në mediat botërore kanë qenë pikërisht ato që për subjekt kanë pasur emrin e saj./Express/

SHPËRNDAJE