Zv.kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka konfirmuar për mediat vendore se doganierët dhe policët kufitarë janë vendosur në Jarinë dhe ka paralajmëruar veprim të ngjashëm edhe në Bërnjak.
Fillimisht, këta pjesëtarë, të shoqëruar edhe nga njësitet elite të policisë speciale, ishin pozicionuar mbrëmë në bazën e KFOR-it, Nothing Hill, në Leposaviq.

Marrë parasysh se rrugët në veri, përfshirë edhe ato magjistrale që çojnë kah portat 1 dhe 31 janë të bllokuara, dërgimi i pjesëtarëve të organeve të Kosovës në pikat kufitare besohet se mund të realizohet vetëm përmes helikopterëve të KFOR-it.

KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës janë zotuar se do të përkujdesen sidomos për sigurinë në mjedise me popullatë të përzier, por një paralajmërim i tillë duket se nuk u ka mjaftuar banorëve shqiptarë e boshnjakë në veri, të cilët, sipas njoftimeve nga policia, kanë preferuar të organizojnë edhe roje nate.
Në përgjithësi, lëvizjet në veri tashmë janë maksimalisht të kufizuara, madje edhe vetë organet e rendit dhe të sigurisë këto lëvizje i bëjnë me helikopterë apo me mjete të rënda dhe të blinduara.

Kosovë, nis operacioni në Veri

Burime ende jozyrtare pohuan për media se rreth 20 minuta pas mesnatës ka nisur operacioni për marrjen nën kontroll të dy pikave kufitare, Jarinë dhe Bërnjak në veri të Kosovës.

Të njëjtat burime pohuan se është zgjedhur kjo orë e pazakontë për të ndërhyrë në mënyrë që të shmangeshin grumbullimet e paralajmëruara nga serbët.

Mësohet se pika doganore numër 1 në Jarinë tashmë ndodhet nën kontrollin e trupave gjermane të KFOR-it të cilat kanë bllokuar totalisht qarkullimin nëpërmjet kësaj pike. Ndërkohë, në pikën 31, në Bërnjak, raportohen rreth 300 serbë të cilët e pengojnë ndërhyrjen e KFOR-it.

Jozyrtarisht raportohet se forcat speciale të Kosovë, kanë mbërritur në kampin e KFOR-it në Leposaviç, ndërsa Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi njoftoi se në orën 06:00 në dy pikat kufitare do të vendosen policët dhe doganierët kosovarë.

Mediat serbe raportojnë se drejt pikës 1, në Jarinë, është nisur i ashtuquajturi, Ministri serb për Kosovën , Goran Bogdanovic dhe kryenegociatori Borko Stefanovic.

Në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës janë dëgjuar të shtëna armësh. Situata mbetet e nderë, por fatmirësisht deri më tani e pashoqëruar me incidente të rënda.

Kuçi: Pas 00:00, plani hyn në fuqi

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi e ka bërë të ditur se policët dhe doganierët, të shoqëruar nga EULEX-i e KFOR-i do të fillojnë vendosjen në pikat kuftiare që pas orë 00:00, në pak minuta.

Ai ka thënë se 16 shtatori do të jetë një ditë e zakonshme për të gjithë, përfshirë edhe serbët. Sipas tij, askush nuk duhet të shqetësohet sepse thjesht qeveria po e bën punën e saj në vendosjen e rendit dhe ligjit në veri.
Ai ka thënë se cdo kush që e kundërshton planin, është kundër SHBA-së, BE-së dhe fuqive të mëdha. Sipas tij, ky plan do të zgjasë vetëm 6 muaj ndërsa më pas parashihen hapa të tjerë.
Rreth orës 23:00, serbët në Leposaviq kanë bllokuar një njësi të KFOR-it që po kthehej në bazën e Notting Hill në Mitrovicë. Konvoi i automjeteve të KFOR-it polak, raportohet se ka hasur në një pengesë në rrugë.
Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka paralajmëruar se në rast të dhunës nga serbët lokalë në veri, do të ketë reagim proporcional.
Ai ka thënë se Kosova ka kapacitete të mjaftueshme dhe në mbështetje të forcave ndërkombëtare që ta mbroje integritetin territorial.

Pacolli nëpërmjet Facebook inkurajon Qeverinë në aksionin në veri.
Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli që për momentin gjendet në Afrikë, në turneun lobues për pavarësinë e vendit, i ka dhënë mbështetje institucioneve vendore në aksionin në veri. “Mbështesim fuqimisht masat e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare në drejtim të shtrirjes së autoritetit në veriun e Republikës së Kosovës”, shkruan Pacolli në profilin e tij në Facebook.

Bllokohen pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak

Serbët kanë bllokuar me kamionë sonte rreth orës 20:30 pikën kufitare në Jarinje. Ata kanë vendosur kamionë nga të dyja anët e kufirit, përkatësisht nga territori i Serbisë dhe i Kosovës, duke paralizuar kështu totalisht qarkullimin e automjeteve në këtë vend.
Ata po ashtu duke vendosur kamionë nga të dyja anët e territorit kanë bllokuar edhe pikën kufitare në Bërnjak.
Vazhdojnë të mbeten të bllokuara edhe ura kryesore dhe ajo lindore mbi lumin Ibër, ku është vendosur sasi e madhe e rërës.
Gjatë ditës janë vënë barrikada edhe mes Leposaviqit në drejtim të Jarinjes, si dhe në disa lokacione në drejtim të pikës kufitare Bërnjak.

Serbët e veriut po përgatiten për luftë

Sipas burimeve të medieve, bëhet e ditur se strukturat paralele në veri të vendit të mbështetura nga Beogradi po përgatiten për luftë në veri të Kosovës.

Sipas të njëjtave burime, shtabi i krizave në veri ka emëruar gjeneralin serb Bozhidar Deliq për komandant të operacioneve luftarake.

“Në Kosovë gjatë 48 orëve kanë hyrë rreth 1 mijë pjesëtarë rezervë të xhandarmerisë dhe ushtrisë serbe, në mesin e të cilëve edhe shumë oficerë, si dhe armë kundër neutralizimit të automjeteve të blinduara”, kanë thënë burimet.

* * * * * * *
Serbët bllokojnë urën mbi Ibër

Serbët lokalë kanë bllokuar urën e Lumit Ibër, duke zbrazur së paku katër maune zhavorr mbi të. Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti.

“Ajo çfarë e karakterizon natën e mbrëmshme në Mitrovicë është zbrazja e së paku katër maunave zhavorr mbi urën e Lumit Ibër në Mitrovicë dhe dëmtimi i një kamere të sigurisë në veri të Mitrovicës”.

“Policia e Kosovës, ajo e EULEX-it dhe KFOR-i do të koordinohen për veprimet e mëtejshme. E rëndësishme është se nuk ka persona fizikë të tubuar në afërsi të urës kryesore mbi Lumin Ibër, ndërsa pengesa fizike është prezente. Policia e Kosovës ka rritur masat e sigurisë në zonat e banuara me popullatë të përzier në veri”, tha Hoti.

Në veri janë rishfaqur tensionet pas paralajmërimeve të Qeverisë se Kosovës se nga e premtja do të hapen vendkalimet kufitare 1 dhe 31.

SHPËRNDAJE