Në seancën e mesditës së sotme të Parlamentit Europian ku u diskutua për fusnotën e Kosovës, eurokomisioneri Stefan Fyle theksoi se Serbia duhet të implementojë të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani me Kosovën.

“Ne jemi të vendosur të vijojmë angazhimin tonë për Serbinë dhe unë kam besim tek kapacitetet e Serbisë në procesin drejt hapjes së negociatave për anëtarësim. Kam bindjen se Serbia do të vijojë të përqafojë të ardhmen e saj europiane që është një hap pozitiv për të gjithë rajonin. Kemi besim se Serbia do mund të përballet me sfidat. Pas zgjedhjeve serbe, qeveria e re e Serbisë do t’i duhet të përballet me prioritetet kyce dhe për dialogun me Kosovën që do të thotë se Serbia duhet të implementojë të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani me Prishtinën”, u shpreh Fyle.

Duke përshëndetur dhënien e statusit të vendit kandidat për në BE Serbisë, eurodeputetët të tjerë gjatë fjalës së tyre kërkuan që Serbia të vijojë reformat për të vijuar rrugën drejt BE dhe të përballet me pavarësinë e Kosovës.

Sipas eurodeputetëve, Serbia duhet të bindet plotësisht që Kosova nuk është më pjesë e saj.

Parlamenti Europian diskuton sot për Kosovën, ndërsa të enjten do të votohet Rezoluta për Kosovën.

SHPËRNDAJE