Parlamenti miratoi projektligjin për Kompleksin e ri Parlamentar

Parlamenti i Shqipërisë miratoi projekt-ligjin për rregullat dhe procedurat e ndërtimit të kompleksit të ri parlamentar të Republikës së Shqipërisë, i cili sipas relatorit Viktor Gumi, respekton ligjet në fuqi të vendit dhe i hap rrugën ndjekjes së procedurave për projektin e zbatimit dhe ndërtimin e Parlamentit të ri.

Duke e konsideruar ndërtimin e Parlamentit të Ri si një celebrim të përpjekjes së vështire 100 vjeçare për një shtet demokratik shqiptar, demokratet i dhanë përgjigje dhe asaj që e quajtën pyetje 100 milion dollarëshe të akuzuesve që shqetësohen për koston e ndërtimit të objektit.

Nga demokrati Gent Strazimiri, erdhi kjo kundërpërgjigje, e cila në thelb ka një akuzë të fortë ndaj abuzimeve të Edi Ramës në bashki dhe atyre të qeverisjes 8 vjeçare të socialisteve.

Demokratët shkuan dhe më tej, kur nisur nga fushata mediatike e arkitektëve pranë Edi Ramës, në një kohë që deputetet e tij i mban nën urdhër bojkoti, theksuan se në fakt arsyet e vërteta të tyre janë vetëm ideologjike, as kushtetuese dhe as ekonomike.

Deputetët demokratë sqaruan se Parlamenti miratoi një ligj që përmban procedura për ndërtimin e kompleksit parlamentar, jo për shkatërrimin e Piramidës.

Ata theksuan se nuk është në detyrën e tyre llogaritja e kostos, por një llogari e kanë bërë tashmë: Simbolikisht thonë se janë duke shlyer një borxh të madh, atë ndaj demokracisë shqiptare.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni