NËSE DHIA RREN, BRIRËT NUK RREJNË!

 

Shkruan: Arbër IBRAHIMI

    Lidhur ne intervistën e kryetarit të Kuvendit Komunal të Bujanocit, Hajredin Hyda, dhënë Agjencisë Informative Kombëtare “Preshevajone” (AIK), më 29 gusht 2012.

 

 

 

Kryetari i Kuvendit Komunal të Bujanocit, Hajredin Hyda,  në një intervistë ekskluzive dhënë Agjencisë Informative Kombëtare “Preshevajo

 

ne”, ka thënë se “Shqiptarët në këtë mandat kanë marrë më shumë poste se sa në marrëveshjen e vitit 2010 të nënshkruar nga: Milan Markoviqi, Riza Halimi, Jonuz Musliu dhe Mejdi Zeqiri, kurse tani poste shqiptare janë: Kryetari i komunës, Kryetari i kuvendit, Kryeshefi i administratës, Sekretari i kuvendit, që përbëjnë shtyllën e pushtetit të një komune, ndërsa në ndërmarrje publike drejtorë shqiptarë janë: në Drejtorinë për ndërtim, Komunalia, Shtëpia e Kulturës, Televizioni, Qendra për punë sociale, Barnatorja e qytetit, Agjencioni turistik, ku nga kjo rezulton që 70% të posteve janë të udhëhequra nga shqiptarët, dhe çka është më me rëndësi marrëveshja e koalicionit tonë është nënshkruar në Bujanoc në gjuhën shqipe dhe jo në Beograd”.

 

 

 

Por, ja që faktet dhe shifrat flasin paksa më ndryshe nga ato që thotë kryetari i kuvendit z. Hyda.

Gjatë zgjedhjeve të 2008-tës, nuk është e vërtetë se shqiptarët kanë pasur poste më pak se gjatë këtij mandati.

E para, drejtori i Shtëpisë së Shëndetit, ka qenë shqiptar, tash në këtë mandat i është ndarë partnerëve të koalicionit nga radhët e serbëve, ashtu siç iu ndanë edhe Qendra Sportive dhe Biblioteka. Pra, në këtë mandat zotëri Hyda, shqip

 

tarët kanë më pakë tre drejtorë.

 

Shkojmë më tutje: Çerdhja e fëmijëve “Gëzimi ynë”, Kryqi i Kuq komunal dhe Veterinaria, Shkolla e Muzikës (të cilat ndihmohen pjesërisht nga komuna), janë institucione, të cilat drejtohen nga serbët.

Nëse bëhet një matematikë e thjeshtë atëherë del se serbët e kanë gjysmë për gjysmë pushtetin me shqiptarët edhe pse në zgjedhje ata

mezi arritën t’i fitojnë 11 këshilltarë, a në të kundërtën kanë fituar më shumë pushtet se sa u kanë ofruar rezultatet e zgjedhjeve.

Llogaria e kryetarit të kuvendit, se 70 % e posteve janë të udhëhequra nga shqiptarët, na del pak e mangët, joserioze, madje edhe qesharake.

 

Duhet të jesh shumë budalla dhe i krisur tu besosh të thënave se shqiptarët në Komunën e Bujanocit, kanë më shumë pushtet, kur në të njëjtën godinë ku funksionon qeverisja e re lokale, nga poshtë është kadastri republikan serbë dhe nga lart Trupi Koordinues i qeverisë së Beogradit. Ky pushtet pa marifet është vendosur në mes si sandviç, financat e të cilit udhëhiqen nga serbët.

 

Edhe diçka tjetër, që i dhemb opozitës shqiptare dhe elektoratit në përgjithësi. Ky pushtet lëre që është multi-kulti, por edhe multi-tërnocas.

 

Zotëri Hyda, prej ndarjeve të funksioneve në administratën komunale dhe drejtoratet e ndërmarrjeve publike, më së shumti fitoi Tërnoci, vendlindja e kryetari të komunës, Nagip Arifi. Në vijim po e japim një pasqyrë të këtij realiteti të hidhur, por të vërtetë lokalist:

 

  • Nagip Arifi – kryetar komune nga Tërnoci,
  • Ismet Ahmeti – kryeshef i administratës komunale nga Tërnoci,
  • Veli Idrizi, nënkryetar i Kuvendit Komunal nga Tërnoci,
  • Emurllah Lutfiu – sekretar i Kuvendit Komunal nga Tërnoci,
  • Arbër Pajaziti – shef i kabinetit të kryetarit nga Tërnoci,
  • Jeton Lutfiu – inspektor i buxhetit komunal nga Tërnoci (djali i Emurllahut, sekretar i Kuvendit Komunal),
  • Agim Haliti, drejtor i Direkcionit për Ndërtim nga Tërnoci,
  • Bajramali Fejzullahu, drejtor i Shtëpisë së Kulturës nga Tërnoci
  • Ragmi Ramizi, drejtor i Komunalisë nga Tërnoci,
  • Bajram Hasani, drejtor i Barnatores nga Tërnoci,
  • Hajredin Ademi, drejtor i Agjencisë Turistike nga Tërnoci,
  • Mukarrem Ahmetim, kryeredaktor i RTV Bujanocit nga Tërnoci,

 

Nga të gjitha këto poste e funksione që thoni Ju se përbëjnë shtyllën e pushtetit të një komune, përjashtim bënë vetëm kryetari i Kuvendit Komunal, Hajredin Hyda nga Letovica dhe drejtori i Radio Televizionit “Bujnaoci”, Abedin Raqipi nga Lluçani.

 

Zotëri Hyda, Partia Demokratike, vota ka grumbulluar më pak në Tërnoc se sa në nivel komune dhe me dhjetra vendbanime të tjera mbetën me gishta në gojë, për shkak ndarjes së kulaçit në mënyrë të njëanshme, të pa drejtë dhe jo njerëzore.

 

Mos harroni zotëri Hyda se elektorati ka investuar për të bërë ndryshime PD-ja në komunë, e bashkë me të edhe Ju, keni marrë përgjegjësi, nga se drejtoni legjislativin, organin më të lartë të pushtetit. Ju dhe kolegu Juaj nga Lluçani, keni pranuar të jeni dekor i një strukture udhëheqëse gati qind për qind nga Tërnoci, por mos pranoni të jepni deklarata, të paverifikuara për t’ia bërë qejfin atij që Ju rri si çadër mbi kokë. Ne Ju njohim për profesor të urtë, të mirë, të ndershëm dhe parimor. Mos lejoni, që nesër kur t’i ktheheni nxënësve të skuqeni e të turpëroheni për ato që jeni të shtrënguar t’i thoni para mediume, të cilat dikush i lexon dhe i komenton.

 

( Autori është publicist nga Lugina e Preshevës)


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni