MeD ndjehet e indinjuar me mos efikasitetin e zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë, nga ana e palës serbe, e cila i obligon palët e përfshira ta respektojnë të drejtën më fondamentale të njeriut – atë të lëvizjes së lirë..Arsyetimi i zyrtarëve serb se kolonat shkaktohen shkaku i evidentimit të dokumenteve nuk është bindës, thotë kjo ministri.

Ministria e Diasporës, me shqetësim i përcolli ngjarjet e fundit, të zhvilluara në kufirin e Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, respektivisht në pikën kufitare Merdare, me ç’rast familje të tëra mërgimtarësh u detyruan, në këtë mot të ftohtë, të presin në radhë të stërgjata për kalimin e kufirit, si pasojë e mosrespektimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë nga ana e palës serbe.

 

“Në këto kolona të krijuara në hyrje të shtetit të Serbisë ata që pësuan më së shumti ishin mërgimtarët, të cilët u detyruan të presin me ditë të tëra për verifikimin e dokumenteve të udhëtimit. Një realitet i tillë për MeD është i papranueshëm dhe i patolerueshëm në cilëndo situatë dhe rrethanë”, thuhet në reagimin e kësaj ministrie

 

 

“Shembull i shkëlqyer në këtë rast është pala kosovare, respektivisht zyrtarët kosovarë, të cilët dëshmuan profesionalizmin e tyre duke ua mundësuar shtetasve të Republikës kalimin kufitar kosovar në përputhje të plotë me standardet e përcaktuara edhe sipas marrëveshjes për lëvizjen e lirë, të arritur më ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”, thuhet në reagim.

 

Ministria e Diasporës apelon tek të gjitha palët e përfshira që të veprojnë me përgjegjësi të plotë dhe ta zbatojnë me përpikshmëri marrëveshjen për lëvizjen e lirë, si dhe në të ardhmen mos të përsëritën pamje të tilla të shëmtuara, të cilat e pasqyrojnë fizionominë e një shteti që ka mbetur i ngecur në mendësinë e të së kaluarës dhe rob i paragjykimeve, të cilat ushqehen nga politika që më së paku pasqyrojnë aspiratat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por ta dëshmojë të njëjtën pjekuri politike të cilën e tregon pala kosovare.

SHPËRNDAJE