Ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë Zoran Konjanovski është pritur sot me ceremoni ushtarake në vizitën e tij në Kosovë

Ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë Zoran Konjanovski është pritur sot me ceremoni ushtarake në vizitën e tij në Kosovë, ku është takuar me zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi dhe ministrin e Forcës së Sigurisë, Agim Çeku. Fuqizimi i bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes dhe përshpejtimi i hapave për integrim në NATO dhe Bashkim Evropian, kanë qenë çështjet kryesore që janë diskutuar gjatë takimeve të ndara.

Me këte rast ministri Agim Çeku ka folur për bashkëpunimin me Maqedoninë, duke thënë se ndërtimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore është shtylla kryesore dhe garanti më i madh për sigurinë, paqen dhe stabilitetin e një vendi.

Kreu i MFSK-së ka thënë se ka një vullnet të mirë nga ana e Maqedonisë për të bashkëpunuar, sidomos në fusha nga të cilat Kosova do të përfitojë nga kapacitetet dhe përvoja e Maqedonisë, për ndërtimin e kapaciteteve të plota të FSK-së.

Ministria e Mbrojtjes së Maqedonisë, me këtë rast ka ofruar trajnime për oficerët dhe për kadetët e FSK-së në kapacitetet e tyre trajnuese.

Ministri maqedonas i Mbrojtjes, Zoran Konjanovski ka shprehur gatishmërinë e vendit të tij për të bashkëpunuar me Kosovën për ndërtimin e përbashkët të sigurisë në rajon dhe për të kontribuar në përshpejtimin e hapave për integrim në NATO dhe BE.

“Sinqerisht ia shtrijmë dorën për bashkëpunim Republikës së Kosovës. Sot flasim për sigurinë në rajon. Këto kontakte janë shumë të rëndësishme për formimin e një pasqyre për sigurinë e rajonit, sa më shpejt duhet ta projektojmë arkitekturën për rajonin në lidhje me integrimet në NATO dhe të vazhdojmë, apo të shpresojmë se do të kemi një zhvillim më të gjerë të ardhmen, të cilën popullata e kërkon nga ne. Bashkërisht u morëm vesh që të vazhdojmë në atë drejtim për bashkëpunimin rajonal mes shteteve”, ka thënë Konjanovski.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni