LUGINA E PRESHEVËS dhe idetë për shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi

Prishtinë, 4 mars- Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë marrë mbështetje edhe nga një forcë politike në Kosovë, për ta përmbushur vullnetin e tyre politik që t’i bashkohen shtetit më të ri në Evropë. Mbështetja u ka ardhur nga lëvizja “Vetëvendosje”, e cila aktualisht është forca e tretë politike në vend.

Një reagim kësisoj i VV-së ka ardhur pas tri ditë heshtjeje institucionale kundrejt Deklaratës politike të kuvendeve të këtyre tri komunave për t’iu bashkuar tërësisë territoriale të Kosovës.

Deklarata e Luginës së Preshevës është bërë më 1 mars, me rastin e shënimit të përvjetorit të njëzetë të mbajtjes së Referendumit  për Autonomi politiko-territoriale me të drejtë bashkimi me Kosovën, të vitit 1992.

Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, e ka parë si hap me rëndësi që do të mund t’i paraprinte bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën shtrirjen e sovranitetit të Kosovës në tërë territorin e saj.

Vitin e kaluar deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, e pati riaktualizuar idenë për ridefinim të kufirit me Serbinë, me bindjen se kthimi i kufijve të vitit 1956 do ta parandalonte Serbinë për t’ia ndarë një pjesë të territorit aktual që ka Kosova, konkretisht veriun.

Në vitin 1956, siç pati thënë ai, pjesë e Kosovës kanë qenë Presheva, Medvegja dhe Bujanovci, por jo edhe Leposaviqi dhe disa fshatra të Zubin-Potokut.

Por, kryeministri Hashim Thaçi i pati kundërshtuar këto ide, duke thënë se ato  janë në kundërshtim me qëndrimet e Kuvendit të Kosovës dhe në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

“Nuk do të ketë në asnjë rrethanë as shkëmbim territoresh, as autonomi e as biseda me Serbinë për çështjet e serbëve të Kosovës”, pati thënë ai, duke shtuar se me Serbinë do të ketë vetëm partneritet ndërshtetëror, shkruan sot Koha Ditore.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni