Lorik Cana: Të respektohet pesëshja shqiptare e Zvicrës

Kapiteni i Kombëtares mundohet të justifikojë “tradhtarët”


Testi i fundit i Shqipërisë ndaj Moldavisë, në prag të fillimit të eliminatoreve të Botërorit 2012 nuk i ka kënaqur kritikët, por as vetë kuqezinjtë, të cilët zbritën në fushë të mërkurën e kaluar në “Qemal Stafa”. Madje, barazimi është konsideruar si një dështim i përfaqësues sonë, e cila ishte përgatitur të merrte një fitore që do të shërbente për moralin e skuadrës, e cila përgatitej që me optimizmin e shtuar edhe nga ardhja e trajnerit të ri, italianit Xhani De Biazi, të mund të përmirësonte paraqitjet në këtë edicion të turneut ndërkombëtar. Barazimi 0-0 me Moldavinë nuk është dhe aq domethënës për të ardhmen, por sigurisht që nuk ka lënë shije të mirë te të gjithë ata që e përjetuan atë ndeshje si spektatore, por as si protagonistë në fushë.

 

Një ndër të pakënaqurit është edhe kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana, i cili gjithçka e shprehu publikisht në fund të ndeshjes. Por gjithsesi, edhe ai e di mirë, që fitorja e shumëdëshiruar në miqësore do të kishte vetëm vlera morale, pasi ato që vlejnë vërtet janë pikët në ndeshjet zyrtare. Aventura e Kombëtares së drejtuar nga De Biazi fillon pikërisht në shtator, kur në fushë do të luhet vërtet. Ndeshja e parë e kuqezinjve do të jetë ndaj Qipros, më 7 shtator 2012, që konsiderohet një sfidë kundër një kundërshtari të përafërt, ndaj të cilit Shqipëria hyn në fushë me objektivin e vetëm për t’i marrë 3 pikët. Një përballje interesante konsiderohet ajo e 11 shtatorit në stadiumin “Swisspoarena” të Lucernës. Kjo ndeshje mbingarkohet me emocione, edhe për faktin se ndaj Shqipërisë do të duhet të luajnë pesë futbollistë shqiptarë, që militojnë në radhët e kombëtares zvicerane: Xherdan Shaqiri, Valon Berhami, Granit Xhaka, Blerim Xhemaili dhe Admir Mehmedi. Këta futbollistë rregullisht janë në listën e Ottmar Hitcfeldit, i cili madje i cilëson si pjesë e rëndësishme e kombëtares së tij. Por në Shqipëri nuk mungojnë zërat që i konsiderojnë tradhtarë të atdheut që i lindi. Kapiteni i përfaqësueses së kuqezi, Lorik Cana, edhe pse në mendësinë e tij e ka të vështirë ta pranojë zgjedhjen e tyre, tha se skuadra shqiptare duhet ta trajtojë Zvicrën si çdo ekip tjetër kundërshtar, edhe pse në radhët e tyre do të jenë pesë lojtarë shqiptarë. “Mua më intereson pak, ose aspak, ajo që ndodh te Zvicra. Edhe pse aty ka lojtarë nga Kosova, kur t’i kemi përballë do t’i trajtojmë si kundërshtarë dhe kaq”, ka deklaruar mesfushori i Lacios. Siç dihet, pesëshja shqiptare e Zvicrës ndihet në siklet për përballjen e 11 shtatorit: sidomos momenti i himneve. Madje, Xhaka ka thënë se nuk do të këndojë asnjë himn. Cana është shprehur se i vjen keq për pozitën në të cilën janë pesë bashkëkombësit e tij te Zvicra. Kosovari ka theksuar se, ata të pestë duhet të respektohen nga opinioni shqiptar, sepse në fund të fundit, edhe ata janë shqiptarë. “Nuk di çfarë të them, gjithsesi duhet të kuptojmë se edhe pse luajnë për një shtet tjetër, ata në fund të fundit janë shqiptarë, sikurse ne, ndaj duhet marrë parasysh edhe ky aspekt i rëndësishëm”, nënvizoi Cana.

 

Ndeshja – Ndeshja Zvicër-Shqipëri do të luhet më 11 shtator në “Swisspoarena” të Lucernës dhe do të jetë e dyta për kuqezinjtë në grupin E të eliminatoreve të Botërorit 2014

“Tradhtarët” – Ndaj Shqipërisë do të luajnë 5 shqiptarët që militojnë në radhët e kombëtares zvicerane: Xherdan Shaqiri, Valon Berhami, Granit Xhaka, Blerim Xhemaili dhe Admir Mehmedi

Lorik Cana – “Duhet të kuptojmë se edhe pse luajnë për një shtet tjetër, ata në fund të fundit janë shqiptarë, sikurse ne, ndaj duhet marrë parasysh edhe ky aspekt i rëndësishëm”


1 Komente

  1. Naim, August 21, 2012:

    Naim Krasniqi: deshiroj te jemi real e mos te mirrem me ofemdie per lojtar nga kosova e shipria se ne jemi te gjith shiptar.Ndoshta nuk e dini ose keni harru para disavitve keta futbollista kan qe te hyn ne komtare po nuk i kan pranu.
    Etani i ofendoni.
    .

Komentoni