Kryeministri çek Petr Necas vizitë zyrtare në Tiranë

Me ftesë të Kryeministrit Berisha, do të zhvillojë sot një vizitë zyrtare në Tiranë, kryeministri i Çekisë Petr Necas. Kryeministri çek do të pritet nga kryeministri Berisha, me një ceremoni zyrtare në kryeministri. Më pas, dy homologët do të zhvillojnë një takim tete a tete, i cili do të pasohet nga bisedimet mes dy delegacioneve, të kryesuara nga kryeministrat. Në përfundim të tyre, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Necas do të dalin në një konferencë të përbashkët për median.

Gjithashtu në prani të dy kryeministrave, në Sallën e Marrëveshjeve të Këshillit të Ministrave do të nënshkruhet Protokolli Marrëveshjes së ripranimit midis Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë dhe Ministrisë së Brendshme të Çekisë.
Kryeministri çek Necas do të pritet në një takim, edhe nga Presidenti Bamir Topi, si dhe do të marrë pjesë, së bashku me Kryeministrin Berisha, në ceremoninë e mbylljes së Forumit ekonomik çeko-shqiptar. Në prani të tyre do të firmoset edhe Protokolli i Komitetit të Përbashkët midis Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë së Çekisë.
Vizita e Kryeministrit Necas është një kontribut i rëndësishëm në çuarjen më tej të marrëdhënieve midis dy vendeve në të gjitha fushat, veçanërisht atyre ekonomike.

 


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni