Koha për Athinën po mbaron – ECOFIN diskuton për Greqinë dhe paktin fiskal

Athina duhet të tregojë rezultate, ndryshe nuk ka ndihma të tjera, thonë disa nga ministrat e ECOFIN-it. Kursi i ashpër i eurogrupit vështirëson negociatat e Athinës me bankat. Temë tjetër e takimit ishte unioni fiskal.

Greqia është e zhytur aq thellë në borxhe, sa kërcënohet nga falimentimi. Për t’i ardhur në ndihmë asaj do t’i falen një pjesë e borxheve. Edhe bankat, pra kreditorët privatë, janë të gatshme të heqin dorë nga një pjesë e detyrimeve që ka Greqia ndaj tyre. Por diskutimi për masën e faljes së borxhit grek është i nxehtë. Sa më shumë rritet barra mbi supet e sektorit privat, aq më e vogël është ajo që peshon mbi taksapaguesit e vendeve që i vijnë në ndihmë Greqisë. Vetë Greqia kërkon natyrisht të lehtësohet nga sa më shumë borxhe. Ministri grek i Financave Evangelos Venizelos u shpreh optimist në Bruksel, për arritjen së shpejti të një marrëveshjeje: “Ne kemi marrë dritën e gjelbër nga grupi i euros për të arritur një marrëveshje me sektorin privat ditët e ardhshme.”

Polemika për normën e interesit

Por ky optimizëm nuk mbështetet mbi baza të forta: grupi i euros i ashpërsoi kërkesat e tij të hënën (23.01.’12). Konkretisht bëhet fjalë për normën e interesit me të cilën do të emetohen obligacionet e reja shtetërore greke, pas faljes së një pjese të borxheve. Shoqata e bankave kërkon një normë interesi prej të paktën 4 për qind për obligacionet e reja, ndërkohë që disa vende të rëndësishme të BE-së dhe FMN janë të gatshëm për jo më shumë se 3,5 për qind. Më shumë nuk jepet, tha përfaqësuesi i shoqatës së bankave. Por ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble nuk pranoi të jepte shifra në Bruksel: “Këtë e gjeni në çdo pazar: pra ofertën e fundit. Nuk duhet të lejojmë të influencohemi shumë.”

Asnjë ndihmë pa garanci me shkrim

Por nuk bëhet fjalë vetëm për reduktimin e borxhit grek. Në këmbim të ndihmës së tyre, vendet e euros kanë kërkuar që në fillim masa të forta kursimesh dhe reforma strukturore nga Athina. Këtu puna çalon shumë, mendon ministri suedez Anders Borg, vendi i të cilit nuk është megjithatë pjesë e unionit monetar: “Ata kanë pasur kaq shumë shanse dhe ne kemi parë shumë pak zbatim deri tani. Në Greqi duhet të ndryshojë diçka thelbësore në zbatim.”

Austriakja Maria Fekter tha fare qartë se nëse Greqia nuk tregon gatishmëri për bashkëpunim nuk do të ketë ndihma të tjera: “Ne do të mund të marrim një vendim pozitiv vetëm nëse partitë qeverisëse dhe partitë e tjera merren vesh për këtë program dhe kjo duhet të jetë me shkrim. (…) Në Greqi janë marrë shumë vendime por shpenzimet nuk janë ulur vërtet dhe ne nuk jemi të kënaqur. Vetëm kur të kemi marrëveshjen me shkrim do të ketë ndihma të tjera.”

Sfondi i kërkesës për një premtim me shkrim nga Greqia është koha e përkohshme në post e kryeministrit pa parti Lukas Papademos. BE kërkon të sigurohet se pas zgjedhjeve të reja në Greqi, të cilat do të zhvillohen ndoshta brenda këtij viti, qeveria e re do të njohë marrëveshjet e tanishme.

Optimisti i vetmuar

Tema e Greqisë ka mbuluar pak punën për të ashtuquajturin pakt fiskal. Të gjitha vendet e BE-së me përjashtim të Britanisë së Madhe ranë dakord në samitin e fundit në dhjetor që përmes një marrëveshje t’i nënshtrohen një disipline më të fortë buxhetore, të lejojnë edhe kontrollin e politikës së tyre fiskale dhe të përmirësojnë aftësitë e tyre konkurruese.

Pas takimit ministri gjerman i Financave Schäuble tha se pakti ka të ngjarë të miratohet më shpejt nga sa pritej në dhjetor. Schäuble nuk sheh megjithatë asnjë arsye për të dyshuar në të ardhmen e euros: “Nëse shohim se çfarë ka ndodhur muajt e fundit atëherë kundër skepticizmit vepron zbatimi hap pas hapi i vendimeve. Pra kur pjesa tjetër e botës dhe vetë ne shohim se vihen vërtet në jetë ato për të cilat është rënë dakord (…), atëherë rikthehet më shumë besimi.”

Schäuble refuzoi edhe diskutimet për rritjen e mëtejshme të fondit të përhershëm të shpëtimit ESM. Shefja e FMN-së Christine Lagarde dhe kryeministri italian Mario Monti e patën kërkuar përsëri këtë së fundi dhe ata nuk janë të vetmit. Informacionet për shtimin e fondit “nuk bazohen në realitet”, tha Schäuble. Ministri gjerman i Financave shtoi se vendi i tij është megjithatë i gatshëm t’i derdhë paratë në fond më shpejt nga sa ishte planifikuar. Derdhja në fond e parave është për Schäublen një masë për krjimin e besimit në tregjet financiare. Por me këtë propozim Schäuble synon të shmangë edhe kërkesa të reja ndaj Gjermanisë, për të bërë më shumë në kapërcimin e krizës. Pasi kjo nuk do të jetë hera e fundit që Gjermania përballet me të tilla kërkesa. (dw)


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni