Interi dhe Roma dy fitore në ndeshjet e javës së 30-të të Serisë A

Stramaçoni debuton me fitore në stolin zikaltër, Roma shpartallon 5-2 Novarën në “Olimpico”

Interi dhe Roma kanë regjistruar dy fitore shumë të rëndësishme në ndeshjet e javës së 30-të të Serisë A, duke mbajtur gjallë shpresat për një vend në Champions League deri në fund të sezonit. Në anën tjetër, Udineze ka marrë një goditje të papritur në garën për aktivitetin më prestigjioz për klube.
Në debutimin e trajnerit Stramaçoni, Interi mposhti 5-4 Xhenoan, në një sfidë të pabesueshme, ku edhe pse kryesonin me shifra të thella, zikaltërit kanë rrezikuar të dilnin sërish të zhgënjyer nga fusha. Heroi i Interit ishte “El Principe”, Diego Milito, me tre gola të realizuar, ndërsa është rikthyer edhe Zarate me një rrjetë.
Në “Olimpico”, Roma mposhti me shifrat e thella 5-2 Novarën, duke dominuar takimin edhe pse ishin miqtë ata që shënuan të parët. Me këtë rezultat verdhekuqtë i afrohen vendit të tretë, ndërsa për Novara, përveçse pësoi humbjen e parë në 4 ndeshje, shqetëson situata e Ujkanit të dëmtuar.
Në sfidat e tjera, Siena mposhti 1-0 Udinezen, Palermo fitoi në Bolonja 3-1, Kaljari mposhti Atalantën 2-0, Kievo fitoi 2-1 në fushën e Fiorentinës, ndërsa Leçe-Çezena përfundoi në barazim 0-0.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni