TIRANË, 24 Korrik, By  /ATSH/ – Ilir Meta është President i 7-të i Republikës së Shqipërisë që nga viti 1990.

Ilir Meta lindi më 24 mars të vitit 1969 në Skrapar, Shqipëri.

U diplomua për Ekonomi Politike në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës. Ilir Meta ka përfunduar Studimet Pasuniversitare në të njëjtën fushë.

Ilir Meta ka një karrierë të gjatë politike, duke filluar nga viti 1990, si pjesëmarrës aktiv në lëvizjen studentore që përmbysi regjimin komunist.
Si një nga themeluesit e Forumit të Rinisë Eurosocialiste (FRESH) Ilir Meta kontribuoi drejtëpërsëdrejti për anëtarësimin e këtij Forumi në Internacionalen e Rinisë Socialiste. Gjatë viteve të anëtarësisë së tij në FRESH, Ilir Meta ka mbajtur poste të larta drejtuese. Ai ka qenë Nënkryetar (1992-1995) dhe Kryetar (1995-2001) i FRESH-it.

Ai aderoi në Partinë Socialiste (1992-2003) si anëtar i Komitetit të Përgjithshëm Drejtues, anëtar i Kryesisë së Partisë (1993-2003), duke mbajtur edhe postet e nënkryetarit të Partisë (1993-1996) dhe atë të Sekretarit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare (1994-1996) – periudhë gjatë së cilës u vendosën marrëdhënie me shumë parti socialiste dhe socialdemokrate të Evropës, si dhe me Partinë Socialiste Evropiane dhe Internacionalen Socialiste. Gjatë viteve 1997-1998 Ilir Meta qe Kryetar i Partisë Socialiste të Tiranës.

Pas përpjekjeve brenda strukturave drejtuese të PS-së për funksionimin e demokracisë së brendshme në parti, më 6 shtator 2004, së bashku me 500 personalitete dhe intelektualë të të gjitha fushave, Ilir Meta u shkëput nga Partia Socialiste dhe themeloi një forcë të re politike në Shqipëri – Lëvizjen Socialiste për Integrim. Në prill të vitit 2005 ai u zgjodh Kryetar i LSI-së
Gjatë viteve të demokracisë, Ilir Meta ka mbajtur poste të ndryshme në qeveritë e koalicionit, duke filluar si Sekretar Shteti për Integrimin Evropian në Ministrinë e Jashtme (mars-tetor 1998), Ministër i Integrimit dhe njëkohësisht zv/Kryeministër (tetor 1998 – tetor 1999), Kryeministër (nëntor 1999 – shkurt 2002), Ministër i Jashtëm dhe zv/Kryeministër (korrik 2002 – korrik 2003).

Në vitin 2013, Meta u zgjodh Kryetar i Parlamentit.

Gjatë viteve, Ilir Meta ka dhënë një kontribut të ndjeshëm për stabilizimin e gjendjes politike në rajonin e Ballkanit. Në vitet 2003-2004 Ilir Meta ishte anëtar i Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin, drejtuar nga ish-Kryeministri i Italisë, Xhuliano Amato. Ky Komision përgatiti Raportin për të Ardhmen e Rajonit të Ballkanit, duke shtruar rrugën për pavarësinë e Kosovës.

Përveç aktivitetit politik, Ilir Meta është dalluar edhe në fushën akademike. Ai ka mbajtur mjaft leksione në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, si dhe në disa Akademi dhe Universitete në Evropë dhe SHBA – ndër to Akademia Evropiane e Berlinit si dhe Universiteti i Harvardit (SHBA).

Ilir Meta është i martuar me Monika Kryemadhin. Ata kanë tre fëmijë – Borën, Besarin dhe Erën. /gj.m//a.ke/

SHPËRNDAJE