Familja në Kosovë ende përballet me dhunën

Familja në Kosovë ende përballet me shkallën e lartë të dhunës qoftë fizike apo edhe financiare, u tha në konferencën kombëtare “Gjendja dhe problemet e familjes bashkëkohore”. Në këtë konferencë, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhanë mbështetje e tyre për të krijuar një gjendje sa më të mirë në familjet kosovare.

Siguria e femrës është siguri e familjes dhe e shoqërisë. Prandaj, duhet të krijohen të gjitha parakushtet që pjesëmarrja e saj të garantohet dhe të sigurohet në të gjitha sferat e jetës dhe punës. Kështu thanë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, të cilët dhanë mbështetjen e tyre për të luftuar dhunën në familje.

Presidentja Atifete Jahjaga, tha se duhet të përkrahen iniciativat që ndihmojnë familjet kosovare në secilin segment.

“Ne si institucione dhe shoqëri e organizuar do të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshëm që familja jonë si qelizë themelore e shoqërisë, të mos ndihet e kërcënuar në asnjë segment të saj”, tha presidentja Jahjaga.

Zëvëndëkryeministri, Hajrdin Kuçi, në këtë konferencë tha se pozita e gruas dhe e fëmijëve në familje, janë dy elemente shumë të rëndësishme për shoqërinë tonë.

“Gjendja që jemi në Kosovë, pozita e gruas në kuptimin juridik besoj se është avancuar. Por, në anën tjetër duhet të besojmë ne veçanti për pjesën që ajo trajtohet e që ne e quajmë dhuna në familje. Ne kemi një ligj të veçantë për të, por unë do ta definoja jo vetëm dhunën fizike, por edhe atë financiare”.

Ndërsa, Kryetari i Lidhjes së Juristëve të Kosovës, Mazllum Baraliu, tha se pozita e familjes në shoqëri ende mbetet e rëndë.

“Familja bashkëkohore sot po përballohet me probleme dhe vështirësi të shumta”, tha ai.

Konferenca kombëtare “Gjendja dhe problemet e familjes bashkëkohore”, është organizuar nga Lidhja e Juristëve të Kosovës dhe Fondacioni për Arsim dhe Kulturë “Atmosfera”.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni