Deshamp, trajneri i ri i Francës

Pason në detyrë Loren Blankun që dha dorëheqjen pas Euro 2012

Franca ka pranuar ndryshimin dhe ka lëvizur shpejt. Do të jetë Didie Deshamp që do të pasojë Loren Blankun në krye të ekipit përfaqësues të futbollit, ndërsa problemet duken të vështirë për t’u zgjidhur e kampionati botëror i vitit 2014 është shumë pranë.
Deshamp nis punën mbi bazën e një kontrate 2-vjeçare, me të drejtë zgjatjeje edhe me 2 vjet të tjerë, nëse të dyja palët do të jenë dakord, pra edhe trajneri, edhe Federata Franceze e Futbollit.
Ish-trajneri i Marsejës ishte kandidati kryesor për postin e rëndësishëm, por të vështirë, ndërsa ai bëhet i treti trajner i “gjelave” që nga viti 2010. Pas Botërorit të Afrikës së Jugut u largua Rajmond Domenek, ndërsa pas Euro 2012 iku Loren Blank.
Deshamp do të ketë një detyrë të vështirë për të krijuar një ekip kombëtar konkurrues për Botërorin e ardhshëm në Brazil dhe një nga çështjet kryesore është rivendosja e harmonisë dhe disiplinës në gjirin e bluve.
Në Botërorin e 2010-ës pati rebelim të hapur ndaj ish-trajnerit Domenek, ndërsa gjatë Europianit në Ukrainë e Poloni nuk munguan përplasjet, madje Federata ka vendosur të marrë masa ndaj 4 lojtarëve dhe pikërisht Samir Nasrisë, Zheremi Menezit, Hatem Ben Arfasë dhe Janik Mvilës.
Deshamp ka dalë kampion i botës dhe kampion i Europës kur ishte futbollist i Francës, përkatësisht në vitet 1998 dhe 2000.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni