Presidentja Atifete Jahjaga priti ministrin e Jashtëm të Çekisë, Karel Schwarzenberg Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Çekisë, Karel Schwarzenberg.

Ministri i jashtëm i Republikës së Çekisë vlerësoi përparimet e bëra dhe bashkëpunimin e ndërsjellë me Republikën e Kosovës. Ai tha se vendi i tij angazhohet që procesi i integrimeve evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor të përshpejtohet duke përmbushur kriteret e përcaktuara nga BE.

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga vlerësoi kontributin e Republikës së Çekisë për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e Kosovës në vitet e kaluara. Ajo tha se përkrahja e Çekisë dhe e vendeve të tjera të Evropës është e nevojshme për shtimin e njohjeve të reja për Kosovën dhe anëtarësimin e saj në organizmat ndërkombëtare.

Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka nevojë për marrëdhënie kontraktuale me BE-në që do të qartësonte rrugën e integrimeve evropiane dhe do të adresonte sfidat aktuale, si dhe do të thellonte reformat në Kosovë. Ajo tha se hapja e dialogut për liberalizim të vizave është e një rëndësie të veçantë.

Presidentja e Republikës së Kosovës tha se prania e BE-së nuk mund të jetë e paanshme ndaj statusit, sepse pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe e gjithë puna bëhet mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Ajo tha se misioni i EULEX-it duhet të ndihmojë në forcimin e rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës.

Presidentja Jahjaga tha se pavarësia e Kosovës është një realitet i pranuar nga shumica e vendeve fqinje dhe është një faktor paqeje dhe stabiliteti. Ajo tha se dialogu me Serbinë është në interes të të dyja vendeve dhe zgjidhjet për çështjet praktike dhe teknike duhet të gjinden duke zbatuar praktikat dhe standardet evropiane.

SHPËRNDAJE