Biliq: Nuk më pëlqejnë historitë për fituesit moral

Përzgjedhësi i Kroacisë, Slaven Biliq është shprehur krenar për skuadrën e tij, përkundër humbjes nga skuadra kampione në fuqi e Evropës dhe botës, Spanja (0:1), e cila ia mohoi kualifikimin në çerekfinale të Evropianit 2012.
“Do t’i përgëzoja futbollistët për lojën e shfaqur. Nuk më pëlqejnë historitë për fituesit moral, por me të vërtetë kemi luajtur një ndeshje heroike. U angazhuam maksimalisht në fushë dhe patëm një mbrojtje të shkëlqyeshme. E kemi ditur se do të kemi së paku një rast, edhe pse i patëm pesë apo gjashtë. Shansi i Rakitiqit ishte i shkëlqyeshëm. Po të kishim shënuar, tash do të ishim në çerekfinale”, ka thënë Biliq, për të shtuar: “Planin B e aktivizuam në 25 minutat e fundit të ndeshjes. I provuam të gjitha mënyrat. I bëm presion spanjollëve dhe loja ishte më e hapur, por nuk e gjetëm golin. Do të kisha dëshirë ta shihja në xhirim të ngadalësuar atë ndërhyrje ndaj Manxhukiqit, kurse fitova përshtypjen se ndaj tyre gjyqtari çdo gjë referonte. Sidoqoftë, ky është një ngushëllim i dobët. Ne kishim ardhur këtu për ta fituar Evropianin dhe këtë synim nuk e përmbushëm. Na mungoi pak fati. Me krenari mund të them se këtu nuk është fundi i kësaj gjenerate”.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni