Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e shoqëruar nga kryeministri Hashim Thaçi, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, si dhe nga ambasadori i Konsullatës së Republikës së Kosovës në Nju-Jork, Bekim Sejdiu, është takuar të dielën në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara me sekretarin e përgjithshëm të kësaj organizate, Ban Ki-moon.

Në takim, presidentja Jahjaga e vlerësoi si të rëndësishme vizitën e sekretarit të përgjithshëm në Kosovë këtë verë, duke theksuar se Kosova është një rrëfim i suksesit të përbashkët, edhe i partnerëve ndërkombëtarë, që kanë punuar me qytetarët dhe institucionet e Kosovës në shtetndërtimin e saj, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Duke folur për përmbylljen e fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, Presidentja Jahjaga tha se institucionet e Kosovës kanë marrë përgjegjësitë e plota duke siguruar, njëkohësisht se parimet themelore të përcaktuara me Kushtetutë dhe me Deklaratën e Pavarësisë do të zbatohen për të gjitha komunitetet. Ajo tha se Kosova ka hapur një kapitull të ri si kontribuuese për paqen dhe stabilitetin në rajon, shkruan koha.

Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova ka vizionin për një Ballkan demokratik, paqësor dhe të përparuar dhe se kjo mund të arrihet përmes integrimit në strukturat euroatlantike, si një e ardhme e përbashkët e të gjitha vendeve të Ballkanit, që do të siguronte paqen në rajon.

Presidentja Jahjaga në takim me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së Ban Ki-moon foli edhe për dialogun me Republikën e Serbisë, duke theksuar se dialogu nuk është rruga më e mirë por rruga e vetme për të normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe për të vendosur politikat e fqinjësisë së mirë si një parakusht për integrim në BE. Ajo tha Republika e Serbisë duhet të zbatojë marrëveshjet e arritura në Bruksel që do të mundësonin vazhdimin e procesit të dialogut për çështjet teknike të interesit të përbashkët.

Duke folur për gjendjen në tri komunat në veri të territorit të Republikës së Kosovës, presidentja Jahjaga tha se strukturat ilegale dhe kriminale serbe, të mbështetura nga institucionet e Serbisë, po i mbajnë peng qytetarët serbë në këtë pjesë dhe po e shkelin integritetin territorial të vendit. Ajo tha se institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara që të dialogojnë me qytetarët serbë në këtë pjesë të vendit për të gjetur zgjidhje për të gjitha çështjet dhe për të ndihmuar në inkuadrimin e tyre në jetën institucionale të Republikës së Kosovës.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, e falënderoi presidenten Jahjaga për mikpritjen që i është organizuar në Kosovë gjatë qëndrimit këtë verë dhe theksoi rëndësinë e kësaj vizite dhe mundësinë për t’u njohur me situatën në terren. Ai tha se për Kosovën është me rëndësi ruajtja e stabilitetit dhe theksoi se të gjitha çështjet duhet të zgjidhen në mënyrë të qetë dhe paqësore.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, tha se i gjithë rajoni duhet të shikojë kah integrimet euroatlantike dhe të punojë më shumë në ruajtjen e stabilitetit dhe të paqes dhe vlerësoi rolin që po luan BE-ja në gjithë rajonin e Ballkanit./Indeksonline/

SHPËRNDAJE