Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur aktakuzë kundër 20 personave për vepra penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare, përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, shmangie të tatimit, dhënie të ndihmës kryesit pas kryerjes së veprës penale dhe veprimtari e pandërgjegjshme në ekonomi.

 

Prishtinë, 9 dhjetor/ AIK-Presheva Jonë

 

Në një komunikatë për media të Prokurorisë së Shtetit, thuhet se për veprat penale shpërdorim i detyrës zyrtare ose i autorizimit janë akuzuar Mehmet Duqi, një kohë drejtor gjeneral e pastaj këshilltar dhe anëtar i bordit të kompanisë së sigurimit “Dardania”. Në këtë komunikatë po ashtu thuhet se ky person së bashku me të tjerët thuhet se ka përvetësuar 220.491.26 euro, me të cilat mjete pastaj ka blerë patundshmëri, e me shmangie të tatimit ka dëmtuar buxhetin e Kosovës për 424.039.02 euro dhe ka përvetësuar edhe automjetet Mercedes E220 D, Audi C4, 80 dhe Audi A3. Personat e tjerë të akuzuar në këtë rast janë edhe Fatos Salihaj, Astrit Dema, Ranadan Myrtar, Mustafë Murselaj, Bislim Haklaj, Arif Lokaj, Arben Sadija, Nexhat Idrizi, Fitim Ramadani, Agim Spahiu, Avdullah Gjjikokaj, Ardian Koci, Shukrije Bekteshi, Shaqë Fetaj, Islam Duqi dhe Lavdi Avllaj, të cilët Prokuroria i akuzon për veprat penale përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Ndërkaq, Bali Mahmuti akuzohet për veprat penale, shpërdorim i detyrës zyrtare dhe përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare. I njëjti akuzohet së bashku me Afërdita Berishën dhe Isak Gjinovcin edhe për veprën penale të mashtrimit në bashkëkryerje. Në fakt, Afërdita Berisha akuzohet edhe për veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar, ndërsa Isak Gjinovci edhe për veprat penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare, përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare e në bashkëkryerje edhe me Mehmet Duqin akuzohen edhe për veprën penale dhënia e ndihmës kryesit pas kryerjes së veprës penale.

SHPËRNDAJE