160 vjet nga vdekja e të madhit Balzak

(AIK-Presheva Jone)

 

 

Cvajgu shkruan se Balzaku nuk qëlloi nga ata që thyhen lehtë, sepse e kishte ndarë mendjen që do ta pushtonte botën me penë, si Napoleoni me shpatë.

Dhe vërtet e pushtoi botën, duke e mbajtur nën sundim të përjetshëm perandorinë letrare e që kështu, përkundër Napoleonit, ky u bë fenomeni i madh dhe perandori i lavdishëm… Balzakun e madh, që krijoi nën moton “Realiteti flet vetë”, pothuaj e njohin të gjithë, edhe ata që janë arsimuar mirë, por edhe ata që kanë siç thuhet “pesë gramë shkollë”. Ai është njëri nga themeluesit më të mëdhenj të shkollës letrare të realizmit. Madhështia e tij nuk rëndon aq për rrymën që krijoi e ndoqi, por për temat e freskëta që solli, për letërsinë dinamike, për shkathtësinë dhe kthjelltësinë kreative, hapësirën e jashtëzakonshme që rroku, vlerat dinamike të artit që krijoi dhe galerinë e hatashme të personazheve. Balzaku, thuhet me të drejtë, nuk ka krijuar thjesht letërsi por ka qëndisur me një elegancë të rrallë e me durim të përbindshëm. Mu për këtë arsye kritika (e pasur!) e ka kërdisur me kopan dhe e ka ngritur në qiejt e lavdisë. Qëndisja e tij madhështore ka të bëjë me përshkrimin e hollësishëm të detajeve të kohës, të zakoneve e dokeve, të sjelljeve e të moralit, për jetën e kryeqytetit e të qyteteve provinciale, por edhe të fshatit; për politikën, shtypin, financat, luftën, fenë, filozofinë, artin, veset, virtytet dhe krimet; dashuritë, pabesitë e shumta madje dhe idealet e zhgënjimet. Balzaku është nga të rrallët që e rroku jetën në tërësinë e saj, me një përmasë gati jashtëshqisore, duke hyrë në lidhje mendore me njerëzimin, ashtu si pretendohet se ka hyrë njeriu i epokës moderne.


Nuk ka komente

Bëhu komentuesi i parë!

Komentoni