Xherdan Shaqiri është shpallur futbollisti më i mirë i Zvicrës për edicionin 2011/2012, në ‘Natën e futbollit zviceran’. Njëherësh, goli më i bukur i sezonit është përngjeshur ai që gjilanasi e kishte shënuar ndaj Luzernit. Kurse Granit Xhaka është zgjedhur futbollisti më i mirë i vitit i shtetit helvetik, shkruan Expressi i Prishtinës

 

Të hënën mbrëma në stadiumin ‘Stade de Suisse’ të Zvicrës është mbajtur ceremonia ‘Nata e futbollit zviceran’, në të cilën janë zgjedhur laureatët e edicionit tashmë të përfunduar.

Me këtë rast, epiteti i futbollistit më të mirë zviceran për edicionin 2011/2012 i ka takuar mesfushorit kosovar, Xherdan Shaqiri, i cili pati një sezon të shkëlqyeshëm me Baselin, por edhe me fanellën e përfaqësueses helvetike.

Falë këtyre paraqitjeve mesfushori me prejardhje nga Gjilani e bëri një hap të madh në karrierë, pasi u transferua te gjiganti bavarez, Bayern Munchen.

“Është një nder i madh për mua ta fitoj këtë çmim. Falënderimi i takon skuadrës së Baselit dhe Kombëtares së Zvicrës”, ka deklaruar Shaqiri, i cili kundër-kandidatë për çmimin e futbollistit më të mirë të Zvicrës i kishte mbrojtësin e Juventusit Stephan Lichtsteiner dhe portierin e Wolfsburgut Diego Benaglio.

Por, ky nuk ishte çmimi i vetëm që e fitoi gjilanasi në këtë mbrëmje të madhe zvicerane. Atij i ka takuar edhe epiteti i kategorisë së golit më të bukur të edicionit të sapo përfunduar. Pra, ‘Goli i vitit’ është zgjedhur ai që Shaqiri e ka shënuar më 7 prill ndaj Luzernit.

Shaqiri nuk ishte shqiptari i vetëm që fitoi çmime të mëdha në këtë eveniment. Kjo pasi bashkëlojtari i tij i Baselit dhe Zvicrës, prishtinasi Granit Xhaka është shpallur futbollisti më i mirë i ri i shtetit helvetik.

Në këtë mbrëmje janë ndarë gjithsej nëntë çmime, gjashtë prej të cilave kanë shkuar në skuadrën e Baselit, dhe tri nga to pra u kanë takuar Shaqirit e Xhakës.

Tri çmime tjera për Baselin i kanë fituar Alex Frei, i cili është shpall futbollisti më i mirë i elitës së futbollit helvetik, trajneri Heiko Vogel i cili me Baselin triumfoi në garën për titull të kampionit dhe Kupën e Zvicrës. Vogel e ka fituar edhe epitetin e ‘Fair-play’.

SHPËRNDAJE