Federata e Futbollit e Kosovës ka nisur festimet për 10-vjetorin e pranimit në UEFA dhe FIFA, një moment kyç në historinë e futbollit kosovar që shënoi ndërkombëtarizimin e tij pas një rrugëtimi të gjatë dhe të vështirë.
Aktivitetet u zhvilluan në Kampin Nacional në Hajvali, ku morën pjesë përfaqësues nga Policia e Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, duke reflektuar mbështetjen institucionale dhe simbolikën e këtij përvjetori.
Një nga momentet më të veçanta të ditës ishte ndeshja e Kombëtares së Amputuarve në Futboll, e cila solli emocione të forta dhe vlerësim për përkushtimin dhe shpirtin sportiv, duke dëshmuar se dashuria për lojën tejkalon çdo pengesë fizike.
Në të njëjtën kohë, festivali “Grassroots” mblodhi fëmijë nga shtatë regjione të Kosovës, të cilët me energjinë dhe entuziazmin e tyre i dhanë ngjyrë festës dhe sollën në fokus të ardhmen e futbollit në vend.
Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, në fjalën e tij, rikujtoi sfidat dhe sakrificat që i paraprinë pranimit në organizatat ndërkombëtare të futbollit. Ai theksoi se ky përvjetor nuk është vetëm një datë simbolike, por një dëshmi e arritjeve të përbashkëta dhe e potencialit për të ardhmen.
Festimet pritet të përmbyllen me ndeshjen e veteranëve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, duke i dhënë një dimension tjetër bashkëpunimit dhe lidhjes mes dy vendeve në sport.




