Kanë kaluar plot tre vite, kur pasi ndërroi jetë kryetari i atëhershëm i FFK-së, legjenda Fadil Vokrri, në krye të këtij institucioni erdhi z. Agim Ademi, një njeri i dëshmuar me decenie për futbollin dhe sakrificën.

Kjo është letra e z. Ademi:

Të nderuar anëtarë të Federatës së Futbollit të Kosovës!
Të nderuar drejtues të klubeve, trajnerë, futbollistë e futbolliste!
Të nderuar dashamirë të futbollit,
Të dashur miq,

Sot bëhen tre vjet që kur mu dha besimi për ta drejtuar shtëpinë më të madhe të futbollit në vendin tonë – Federatën e Futbollit të Kosovës. Që nga dita e parë në krye të këtij institucioni e fillova punën me përkushtim dhe me zotim për përgjegjësi e ndershmëri. Falë mbështetjes së fuqishme nga delegatët dhe klubet anembanë vendit arrita që së bashku me KE të FFK-së ta çojë futbollin tonë në një nivel tjetër.

Pashmangshëm për këtë duhet falënderuar edhe presidentin e UEFA-s, Aleksandër Çeferin dhe presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino dhe të gjitha organet e këtyre dy institucioneve, të cilët qëndruan përkrah nesh në vazhdimësi dhe i mbështetën të gjitha projektet të cilat i paraqitëm para tyre.

Duke qenë në krye të FFK-së, me mbështetjen e Komitetit Ekzekutiv, gjatë kësaj periudhe kam bërë reforma të mëdha, të cilat për qëllim të vetëm e kanë përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e cilësisë së garave. Formati i Superligës me 10 skuadra u vlerësua si vendimmarrja më e qëlluar e viteve të fundit, pasi është rritur organizimi i klubeve, por edhe rivaliteti dhe cilësia e ligës. Ndërkohë, edhe organizimi dhe cilësia e ligave tjera është rritur dukshëm, teksa kemi krijuar edhe Ligën e Tretë për ta masivizuar futbollin, si dhe Ligën e Veteranëve, ku janë përfshirë futbollistë të gjeneratave të ndryshme, e veçmas të periudhës së rezistencës.

Duke pasur parasysh se në të kaluarën kam qenë vet në krye të një klubi dhe i di më shumë se kushdo tjetër vështirësitë me të cilat ballafaqohen ata që investojnë në futboll, jam përpjekur maksimalisht që t’u qëndrojë afër klubeve me subvencione dhe përkrahje në infrastrukturë gjatë këtyre tre viteve, e sidomos në periudhën e pandemisë Covid-19.

Pavarësisht goditjes së papritur globale nga virusi Covid-19, ne nuk u ndalëm. Arritëm që me vendosmëri e unitet ta rikthejmë futbollin dhe të ndihmojmë të gjitha klubet, por njëherësh edhe të vazhdojmë projektet zhvillimore në futbollin e fëmijëve dhe në atë të femrave.

Kur jemi tek futbolli i femrave në kuadër të strategjisë së re, kemi miratuar subvencionimin e drejtpërdrejt gjatë gjithë edicionit të trajnerëve dhe lojtareve të të gjitha klubeve në Ligën e Parë dhe në Ligën U16, me qëllimin që futbollin e femrave ta ngrisim në nivel tjetër.

Gjatë këtyre tri viteve kemi arritur të edukojmë shumë kuadro të reja për trajnerë dhe gjyqtarë, teksa nëpërmjet programit “Grassroots” kemi zhvilluar mijëra aktivitete, me përfshirje të gjerë të të gjitha kategorive, e sidomos personat me nevoja të veçanta.

Misioni dhe obligimi im në krye të FFK-së është që t’i jap hov zhvillimit të futbollit. Prandaj, në këtë aspekt besoj se investimi në një infrastrukturë me standarde evropiane ndihmon në krijimin e gjeneratave të reja, me të cilat më vonë do të ndihemi krenarë.

Në këtë drejtim, falë menaxhimit të kujdesshëm financiar kemi arritur që të kryejmë punë të mëdha në Kampin Edukativ Nacional në Hajvali, duke e shndërruar atë në një kompleks modern, i cili do t’u shërbejë ekipeve zinxhir të grupmoshave të Kombëtares së Kosovës, por jo vetëm.

Reforma kemi bërë edhe në ekipet kombëtare, ku synojmë që të rrisim nivelin e përgjegjësisë dhe arritjen e rezultateve kulmore. Ekipit kombëtar i kemi krijuar kushte të barabarta me të gjitha ekipet kombëtare të vendeve evropiane, derisa në vazhdimësi kemi punuar për të sjellë në ekip lojtarët tanë më të mirë.

Një vëmendje të madhe i kemi kushtuar edhe ndërtimit të fushave ndihmëse për klubet në qytete të mëdha e të vogla. E kemi ofruar vullnetin tonë për të përkrahur financiarisht ndërtimin e fushave të tilla në bashkëpunim me institucionet lokale dhe deri më tash kemi hasur në koordinim të mirë, edhe pse në disa raste ka vonesa për shkak të burokracive në pushtetin lokal.

Një investim kapital e kemi bërë edhe në selinë e FFK-së, duke e shndërruar atë në Shtëpi moderne të futbollit. Kjo, pa dyshim më bën të ndihem krenar, pasi tashmë administrata e FFK-së punon në ambiente me standarde të larta evropiane, teksa miqtë dhe dashamirët tanë të shumtë vendorë e ndërkombëtar kemi ku t’i presim e t’i nderojmë.

Futbolli në ditët e sotme ka evoluar shumë, prandaj kjo më shtyn që të jem më kërkues ndaj gjithsecilit që është pjesë e FFK-së për të punuar me përkushtim e pasion, në mënyrë që ky institucion të jetë vlerë dhe imazh i vendit tonë.

Një tjetër projekt madhor të cilin jemi duke e finalizuar është sistemi VAR, të cilin synojmë ta implementojmë në edicionin e ri garues të Superligës. Realizimi i këtij projekti ishte sa i kushtueshëm po aq i vështirë, por falë punës së palodhshme të të gjithë të përfshirëve në këtë projekt, bashkëpunimit shumë të mirë me FSHF-në dhe përkrahjes së madhe nga UEFA e FIFA kemi arritur që të vijmë në fazën finale të implementimit të këtij projekti, i cili pa dyshim do t’i ndihmojë gjyqtarët në zgjidhjen e rasteve kontestuese dhe do t’i ndihmojë garës për korrektësi maksimale.

Jam i bindur se jemi në rrugën e duhur dhe bashkërisht do të realizojmë edhe shumë projekte të reja, pasi këtë ua kemi borxh gjeneratave të reja. Në punën tonë kemi hasur jo rrallë edhe pengesa, veçanërisht nga njerëz që nuk ia duan të mirën FFK-së dhe që nuk përfaqësojnë asgjë në futboll. Por, fatmirësisht njerëzit e futbollit qëndruan dhe po qëndrojnë unik në mbështetje të FFK-së, duke mos lejuar që njerëz të tillë të destabilizojnë institucionin të cilin e drejtoj.

Përkrahja dhe besimi i tyre më shtyjnë që ta vazhdoj misionin tim me përkushtim edhe më të madh, me shpresë e besim se në të ardhmen do të arrijmë suksese edhe më të mëdha si në fushën e gjelbër, ashtu edhe në menaxhimin dhe realizimin e projekteve të reja.

Në fund, dua të falënderoj edhe njëherë të gjithë ata që më mbështetën gjatë këtij rrugëtimi trevjeçar, përfshirë krerët e UEFA-s e FIFA-s, DFB-në me të gjitha organet e saj, si mentore edhe gjatë pranimit, Federatën e Turqisë e Katarit për bashkëpunim të ngushtë, homologët dhe miqtë e mi Armand Duka, Muamed Sejdini, Davor Shuker për mbështetje të parezervë, Lidhjet Rajonale të Futbollit, klubet, institucionet e vendit, përfaqësuesit tanë në Gjermani, vëllezërit Shoshi e Fekmi Kongjelin, partnerët tanë afaristë, tifozët Dardanët dhe miqtë e dashamirët e shumtë.

FFK do të vazhdojë të jetë shtëpi e hapur për të gjithë ata që kanë vizion dhe ja duan të mirën futbollit. Ky institucion do të punojë pareshtur për ta ngritur në nivele sa më të larta qoftë futbollin e ekipeve kombëtare, qoftë atë të klubeve.

Në vitin e katërt të mandatit tim të parë do të ketë edhe shumë projekte, ngritje dhe zhvillim!

Vazhdojmë me krenari e përgjegjësi!

I juaji,
A.A.

SHPËRNDAJE