Federata e Futbollit e Kosovës ka marrë një ftesë zyrtare për pjesëmarrje në Mediterranean Games Taranto 2026, që do të zhvillohen gjatë muajve gusht dhe shtator në Taranto. Ftesa, e dërguar nga Federata Italiane e Futbollit, përfshin ekipet e reja të Kosovës, si në konkurrencën e meshkujve ashtu edhe të femrave.
Në një situatë normale, një ftesë e tillë do të përcillej menjëherë nga Komiteti Olimpik i Kosovës tek Federata e Futbollit e Kosovës, duke hapur rrugën për përgatitje dhe organizim serioz. Por duket se KOK-u ka vendosur të aplikojë një standard të ri: filtrimin e ftesave sipas ndonjë “ekspertize” të brendshme!
Dhe kush tjetër për ta pësuar këtë standard të ri përveç Italisë?
Po, pikërisht Italia, një vend që, sipas logjikës së “ekspertëve” brenda KOK-ut, ndoshta nuk e meriton më vëmendjen e Kosovës, duke pasur parasysh performancat e fundit zhgënjyese dhe mungesën e saj në arenën më të madhe të futbollit botëror. Një Itali që ka humbur shkëlqimin e dikurshëm, duket se nuk konsiderohet më “prioritet strategjik” për t’u marrë seriozisht nga KOK-u.
Kështu, në vend që ftesa të trajtohej si një mundësi për zhvillimin e talenteve të reja dhe përfaqësimin ndërkombëtar duke u përcjellë tek adresa përfundimtare për ku ishte nisur, ajo ka përfunduar diku në labirintet e “ekspertëve”, të cilët e kanë pa si të pa vlerë.
Ironia bëhet edhe më e thellë kur kujtohet se bëhet fjalë për një aktivitet ku marrin pjesë shtete nga i gjithë rajoni mesdhetar, një platformë ideale për afirmimin e sportistëve të rinj. Por për KOK-un, duket se edhe këto raste kalojnë pa u vënë re, në një heshtje që flet më shumë se çdo deklaratë.
Nëse kjo situatë nuk sqarohet me urgjencë, rreziku nuk është vetëm humbja e një turneu. Është humbja e një standardi minimal të përgjegjësisë institucionale.
Sepse në fund të fundit, problemi nuk është nëse Italia është apo nuk është në formë. Problemi është që një ftesë zyrtare — pavarësisht nga kush vjen — nuk duhet të mbetet pa adresë brenda institucioneve tona.