7 dhjetor, 2021 – Presidentit Agim Ademi gjatë ditës së sotme e ka shtruar drekën e fundvitit për sponsorët dhe partnerët e FFK-së. Në këtë drekë ishin të pranishëm drejtuesit e TEB-it, BKT-së, Viva Freshit, Emeraldit, Sigal Uniqa Group Austria, KEDS-it, Uji i Alpeve dhe ArtMotion. Me këtë rast, presidenti Ademi shprehu falënderimet e tij dhe të KE të FFK-së për sponsorët për një bashkëpunim shumë të mirë gjatë vitit që po e lëmë pas. “Edhe ky ka qenë një vit i vështirë për të gjithë ne, duke pasur parasysh vazhdimin e pandemisë, por duke ju pasur juve përkrah e kemi tejkaluar shumë më lehtë. Jemi shumë të lumtur që jeni pjesë e rrugëtimit tonë të përbashkët, pasi ju jeni ndër brendet kryesore në vendin tonë. Me sponsorizimin tuaj jo vetëm që na keni nderuar, por na keni ndihmuar që së bashku të bëjmë progres të madh në futbollin e Kosovës”, ka thënë presidenti Ademi. Tutje ai ka folur për secilin partner veç e veç, duke vlerësuar secilin prej tyre për kontributin e dhënë në progresin e gjithmbarshëm të federatës dhe futbollit kosovar. “Po e nis me VIVA Fresh, pasi më ka pëlqyer ideja e tyre për të na nderuar me sponsorizimin e nivelit të dytë të garave – Ligën e Parë, për çka u jam shumë mirënjohës, sepse kanë kontribuar që kjo ligë të bëhet shumë më prestigjioze. Emeraldi qysh nga themelimi është me ne dhe jo vetëm si partner por e konsiderojmë edhe si shtëpinë tonëdhe të ekipit kombëtar. Besimi për punë të mirë dhe për shpenzim të duhur të mjeteve ka bërë që përveç Emeraldit edhe HIB të vendosë mjete tjera në shërbim tonin në progres të futbollit, për çka i jemi falënderues. TEB-in si bankë me shtrirje globale e falënderoj posaqërisht në emër të ekipit kombëtar. Që nga fillimi ka qenë me ne dhe është sponsori me kontributin më të madh, prandaj edhe çdo rezultat e sukses i Dardanëve tanë i dedikohet edhe TEB-it. Sigali si gjithmonë është këtu për sigurinë tonë. Përveç se bën sigurimin e stafit dhe administratës, bën edhe sigurimin e futbollistëve tanë kur udhëtojmë jashtë vendit. BKT sponsori ynë më i ri, që jo vetëm se e ka pasuruar Superligën tonë, por edhe e ka bërë më kredibile me emrin e tij. BKT është një emër i madh jo vetëm tek ne, po kudo ku operon. Ky sponsor po na ndihmon edhe na digjitalizim, pasi platformën e tyre do ta kemi prezente në federatë dhe nëligë. Partneri ynë i radhës KEDS-i për të mos mbetur pa dritë na ka bërë një investim jashtëzakonisht të madh dhe kolosal në Kampin Edukativ Nacional në Hajvali, duke na pajisur me trafo e kabllo me të gjitha shpenzimet tjera. E pa ujë nuk jetohet, prandaj Uji i Alpeve është me ne. Është produkt më i vogël se sa të tjerët, por është shumë i rëndësishëm për gjithë ne. Dhe në fund, ArtMotion, kompania mediatike e cila nëpërmjet platformës së saj televizive po ua ofron tërë rrjedhën e kampionatit tonë të Superligës, por edhe Ligës së Parë në cilësi maksimale tërë shqiptarëve kudo në botë. Pra, edhe një herë faleminderit dhe sinqerisht ajo që më bën të ndjem i lumtur është se jemi një institucion në të cilin partnerët tanë kanë besim dhe janë të kënaqur me bashkëpunimin e ndërsjellë. Uroj që në vitin e ardhshëm të keni suksese të reja në kompanitë tuaja dhe së bashku të arrijmë suksese edhe në futboll”, ka përfunduar presidenti Ademi. Ndërkaq, drejtuesit e kompanive sponsore e falënderuan presidentin Ademi dhe FFK-në për korrektësinë e treguar gjatë partneritetit të tyre dhe u shprehën të lumtur që një pjesë të mjeteve të tyre po e investojnë në sportin më të popullarizuar në botë – futbollin. Në fund të kësaj dreke, presidenti Ademi ndau dhurata për të gjithë sponsorët.

SHPËRNDAJE