Hapja e pikë kalimit kufitar të përbashkët Stançiq-Bellanoc që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut është shtyrë tash e një vit që kur është paralajmëruar hapja e saj në janar të 2019-s. Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme tha për Gazetën Express se kryerja e punëve në këtë pikë kalim është çështje ditësh dhe hapja zyrtare pritet të ndodhë nga mesi i dhjetorit dhe në gjashtë muajt e parë do të qarkullojnë vetëm njerëzit dhe veturat.

Gurthemeli i objektit në pikë kalimin kufitar të përbashkët Stançiq-Bellanoc ishte përuruar në qershor të vitit 2018 nga zyrtarë shtetërorë të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe BE-së.

Ata ishin deklaruar se janari i vitit 2019 do të jetë muaji kur kjo pikë do të hapet për qarkullim por që hapja e kësaj pike është shtyrë disa herë. Data e fundit e cila u përmend nga zyrtarë të MPB-së ishte 28 gushti i këtij viti por që nuk u realizua.

Zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Izmi Zeka tha për Gazetën Express se hapja e pikë kalimit kufitar Stançiq-Bellanoc pritet të bëhet nga mesi i dhjetorit.

“Mund të deklaroj që deri në mesin e dhjetorit të këtij viti shpresojmë që kjo pikë kufitare të hapet. Ky është një projekt i BE-së në bashkëpunim me autoritetet kosovare dhe ato maqedonase, të gjitha përgatitjet janë duke u bërë që kjo pikë e kalimit kufitar të hapet diku nga mesi i dhjetorit dhe kjo çështje të mbyllet që është stërzgjatur”, tha ai.

Zeka u shpreh se nuk mund të jap datë të saktë për arsye teknike të punë kryesit.

“Me qeverinë maqedonase jemi dakorduar që në momentin e parë që kryhen aspektet teknike nga punë kryesi ne do të bëjmë hapjen e pikës kufitare, mund të them që është çështje ditësh dhe ky projekt do të kryhet dhe pastaj janë disa procedura të pranimit por shpresojmë që nga mesi i dhjetorit. Nuk mund të jap datë të saktë për arsye se po keqkuptohet pasi është thënë që nga janari e këndej”, u shpreh zëvendësministri në detyrë.

Zëvendësministri në detyrë deklaroi se në gjashtë muajt e parë do të lejohen për qarkullim vetëm njerëzit dhe veturat.

“Në këtë pikë kalim kufitar në gjashtë muajt e parë nuk do të ketë aspekte komerciale do të thotë nuk do të kalojnë tonazhet e larta me mallra, por vetëm njerëzit dhe veturat kurse pas gjashtë muajve do të kenë të drejtë të gjitha llojet e automjeteve edhe për aspekte komerciale të shfrytëzojnë këtë pikë kalim kufitar”, tha Zeka.

Policia e Kosovës në një përgjigje për Express thanë se e kanë të gatshëm logjistikën dhe personelin e tyre për të operuar në pikën kalimin kufitar Stançqiq-Bellanoc në momentin që hapet për qarkullim.

“Ju njoftojmë se punimet në ndërtimin e Pikës së kalimit Kufitar (PKK) të përbashkët Stanqiq-Bellanoc ende nuk kanë përfunduar në tërësi. Policia ka të gatshëm personelin dhe logjistikën për të filluar punën në këtë PKK”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Banorët e vendbanimeve kufitare të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut nga mos funksionalizimi i këtij pikë kalimi kufitar, është që të udhëtojnë qindra kilometra për të shfrytëzuar pikën kufitare të Bllacës për tu lidhur me qytetet kufitare të Gjilanit respektivisht Kumanovës.

SHPËRNDAJE